E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vidovdani festohet pa incidente, Policia e Kosovës shtoi masat e sigurisë për mbarëvajtjen e aktivitetit

Nën masa të shtuara sigurie nga Policia e Kosovës, në Gazimestan, vetëm 10 km larg Prishtinës, serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit festuan Vidovdanin.

Kjo festë u shënua edhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila kreu rite fetare në shenjë përkujtimi për ushtarët e vrarë në atë që njihet si Beteja e Kosovës.

Ceremonia në Gazimestan u zhvillua në mënyrë të qetë, përveç disa rasteve ku disa pjesëmarrës serbë u shoqëruan nga Policia e Kosovës, pasi mbanin flamuj apo bluza me përmbajtje provokuese, përfshirë simbole apo figura që u konsideruan se nxisnin tensione. Disa prej tyre u ndaluan pasi në fund nisën të bëjnë thirrje nacionaliste. Banorë serbë u mblodhën edhe në Graçanicë, po pa krijuar incidente.

Më parë, Gjykata e Prishtinës e kishte ndaluar shfaqjen e flamujve serbë për Vidovdanin në Kosovë, pasi vitet e kaluara gjatë festimeve ka pasur edhe arrestime për nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare. Një ditë më parë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi se sipas vlerësimeve të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, Serbia mund të provokonte incidente përmes elementëve destabilizues.

Duke reaguar ndaj këtyre paralajmërimeve, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u kërkoi të gjithë pjesëmarrësve në festime që të mos i jepnin mundësi kryeministrit Kurti që t’i arrestonte, ndërsa shtoi se do të vijë koha kur ata do të mund të mbajnë lirisht bluza dhe flamuj serb kudo. 

Pelegrinazhi tradicional i Vidovdanit mbahet çdo vit në Gazimestan, për të përkujtuar princin mesjetar serb Car Lazarin dhe ushtarët e tij të rënë në humbjen e Betejës së Kosovës në vitin 1389 kundër Perandorisë Osmane.

Përjashtim bëri viti 2023, kur për shkak të tensioneve në veri, ceremonia u zhvendos në Graçanicë.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›