Vieri: Calciopoli u krijua nga Moratti
Kanë kaluar gjashtë vjet, janë zbuluar edhe shumë problematika të tjera, ku më e madhja ishte ajo e trukimit të ndeshjeve për të përfituar nga bastet, megjithatë skandali Calciopoli vazhdon të krijojë shumë diskutime. Për të zbardhur disi të vërtetën e skandalit ku emri i Juventusit u njollos, skuadra zbriti një kategori më poshtë dhe humbi dy tituj kampion të Serisë A, tashmë vijnë edhe deklaratat bombastike të Christian Vierit.
Akuza
Ish-sulmuesi i Interit, që ka fituar 1 milion euro dëmshpërblim nga ekipi i tij, pasi drejtuesit e klubit zikaltër e kanë spiunuar në jetën private, ka deklaruar se lojtarët e Interit nënshkruanin një klauzolë që i kërkonte atyre të mos zbulonin një marrëveshje të dyshimtë të presidentit Moratti me Telecom, për eliminimin e ekipeve më të forta në kampionat, me synimin që Interi të favorizohej për të fituar titullin dhe të niste një cikël fitoresh, pikërisht ashtu si ka ndodhur. Të gjithë ishim në dijeni të këtij fakti dhe jam i gatshëm të zbuloj dokumentin. Unë u mashtrova sepse u spiunova nëpërmjet telefonit, këto janë gjëra që nuk dua ti mbaj më për vete. Kontrata ime paguhej 70 për qind nga Interi dhe 30 për qindëshi i mbetur nga Telecom. Gjithçka, vetëm që të paguanim sa më pak taksa, ishin fjalët e Vierit. Më tej, ish-sulmuesi i kombëtares italiane shtonte: Për këtë çështje kam diskutuar vetëm me zotin Ghelfi te Interi, duke rënë dakord me ta për gjithçka. U ndjeva keq për Juventusin sepse unë vuaj bashkë me ta, dhe të njëjtën gjë mund të them edhe për Milanin. Megjithatë, në atë periudhë mendoja që duhet të bëja diçka për të ndihmuar presidentin tim te Interi.
Rihapja e gjyqit
Avokatët e Christian Vierit kanë deklaruar se këto deklarata, por edhe dokumentet që lojtari zotëron do të ishin të mjaftueshme për të rihapur gjyqin Calciopoli dhe për të rishkruar historinë. Në rast të tillë, Interi dhe vetë Moratti do të rrezikon shumë. Megjithatë, tashmë në Itali kanë nisur debatet, sepse presidenti i Federatës së Futbollit, Giancarlo Abete ka deklaruar se sipas rregullores sportive Interi dhe drejtuesit e klubit përfitojnë nga kalimi i afatit të ndëshkimeve dhe nuk mund të penalizohen. Sipas tij, zikaltërit mund të ishin dënuar vetëm nëse faktet do të kishin dalë deri në vitin 2007.
————————————
Ancelotti: Juventusi, i fortë edhe në Champions
Carlo Ancelotti, trajneri i Paris SG, në një intervistë të gjatë për La Gazzetta dello Sport, e konsideroi Juventusin në gjendje që të luftojë për sukses në Champions League. Ish-trajneri i Milanit, Juventusit dhe Chelsea, komentoi momentin aktual të futbollit europian, favoritët e Champions, lëvizjet e merkatos dhe foli për forcën e skuadrës së tij, Paris Saint-German.
Favoritët në Champions
Nuk ka dyshime që mbeten spanjollët. Barcelona është shumë e fortë edhe pa Guardiolën, por duhet të rikuperojë ende pa agresivitet. Më duken pak më të thyeshëm se më shpejt. Reali është gjithashtu shumë i fortë.
Surprizat e mundshme
Mendoj se një surprizë e mundshme mund të jetë Manchester City i Mancinit, edhe pse është në një grup shumë të vështirë me Realin. Potencial surprize ka edhe Zeniti i Spalletit.
Milan dhe Juventus
Futbolli italian, për shkak të krizës ekonomike, është në një moment tranzicioni. Megjithatë, Juventusi në sezonin e fundit më befasoi me të vërtetë, kryesisht falë tre emrave, Conte, Pirlo dhe Agnelli. Presidentin e njoha kur drejtoja Juven dhe dukej që do të bëhej një drejtues i madh. Për mua, ata kanë potencial për të bërë gjëra të mëdha edhe në Champions. Milani duhet të ribëhet dhe Allegri ka një detyrë të vështirë, por ADN-ja e klubit mbetet dhe besoj se shumë shpejt do të vijnë në formë. Me formatin e Champions, ku gjithçka vendoset në pak ndeshje, edhe ata mund të jenë vendimtarë nëse dinë të shfrytëzojnë momentin.
Paris SG
Në nivelin taktik nuk jemi ende të barazpeshuar, por puna ime kryesore ka të bëjë me aspektin psikologjik. Duhet që të gjithë të kemi vullnetin për të treguar se jemi të fortë, duhet të befasojmë njerëzit. Pas fillimit të keq në kampionat, tani gjërat po sistemohen.
Ibrahimoviç
Janë të shumtë ata që e shohin si arrogant, por ai nuk është aspak ashtu. i pëlqen të bëjë batuta dhe më kujton pak Pirlon, që krijon nga jashtë një përshtypje që nuk përputhet me realitetin.
————————————–
Interi, pesë gjëra për të rregulluar
Humbja me Romën ka sjellë një atmosferë pesimizmi në radhët e Interit, që pas fitores së bindshme në javën e parë me Peskarën u duk se ishte në një moment të shkëlqyer forme. Të mërkurën, La Gazzetta dello Sport, e përditshmja sportive italiane identifikoi pesë problemet kryesore të skuadrës së Stramaccionit. Varësia nga Sneijder
Në dy javët e para, u konfirmua tendenca se forma e skuadrës varet shumë nga ajo e fantazistit holandes. Skuadrës i duhet një zëvendësues për ato ditë kur Uesli nuk është në formë të mirë dhe Coutinho apo Alvarez i kanë të gjitha mundësitë të luajnë në të njëjtin rol.
Mbrojtje tepër e brishtë
Shtatë gola të pësuar në tre ndeshjet e para, përfshi Europa League, janë më shumë se një sinjal alarmi. Ranocchia dhe Silvestre në qendër nuk ofrojnë asnjë garanci dhe rikthimi i Samuel mund të përmirësojë disi situatën, por trajnerit i duhet të punojë shumë për të kompaktësuar grupin me emrat që ka.
Përshtatja e Cassanos
Në ndeshjen e parë u duk gjithçka shumë e lehtë, por përballë Romës, u pa qartë se Antonio ngatërrohej shpesh në fushë me Sneijder dhe nuk ka ende të qartë rolin e tij. Mbase mund të ishte më e përshtatshme që Palacio të luajë si titullar, deri sa kur Cassano të kuptojë atë që i kërkohet në radhët e zikaltërve.
Moslidhja e reparteve
Kundër Romës, Interi u duk si një skuadër e ndarë në dy pjesë në 90 metra të fushës, me katër persona përpara dhe gjashtë pas. Në këtë kuadër, është e rëndësishme që ekipi të bëjë më shumë për të unifikuar repartet dhe për të luajtur si grup, e kjo mund të arrihet me ndryshimin e skemës apo përshtatjen e njërit prej Gargano, Stankovic apo Cambiasso përkrah Guarinit në një rol mbështetës në mesfushë.
Mungesa e Maicon
I shitur tek Manchester City, ai që për disa vite me radhë ishte një lokomotivë në krahun e djathtë, tashmë duhet zëvendësuar. Nagatomo ka luahtje të rëndësishme në rendimentin e tij, ndërsa Jonathan, ndonëse luajti mirë tek Parma, nuk duket se ka cilësitë e mjaftueshme për ta zëvendësuar. Një mundësi është kapiten Zanetti, i mësuar me këtë pozicion, por më e rëndësishmja për Interin është të mësojë të mos e përqendrojë lojën djathtas, ku galopimet drejt sulmit dhe krosat e brazilianët tashmë nuk janë një opsion.