E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Piero: Ja pse zgjodha të shkoj në Australi

Tashmë është zyrtare, Alessandro del Piero është një lojtar i Sydney F.C. Lajmi qarkullonte prej ditësh në media, por ish legjenda e Juventusit hodhi më në fund të zezën mbi të bardhë për klubin australian, pasi nënshkroi një kontratë 2-vjeçare, prej së cilës do të përfitoj 1.6 milion euro në sezon, duke u bërë njëkohësisht lojtari më i paguar në A-League. Për 37-vjeçarin, pas largimit nga bardhezinjtë gjatë kësaj vere, shfaqën interes ekipe si Liverpool, Braga, Sion apo dhe Celtic, megjithatë Ale vendosi të ndjekë gjurmët e bashkëkombësit të tij Benito Carbone, i cili në vitin 2006 nisi të njëjtën aventurë me klubin e Sydney. Në konferencën për shtyp Del Piero shuan kureshtjen e të gjithëve, se cilat ishin arsyet që e shtyn për të marrë një vendim të tillë.
Arsyet
Është një ditë e veçantë për mua dhe jam shumë i emocionuar për këtë kapitull të ri në jetën time. Falenderoj të gjitha ekipet të cilat u interesuan muajt e fundit, por mendoj se Sydney ishte zgjedhja më e mirë që mund të bëja. Është larg si vend, por filozofia dhe idetë që ka ky ekip nuk ndryshojnë shumë nga të mijat. Do të përballem me një aventurë të re, pas një udhëtimi të gjatë që bëra për të kuptuar se cila ishte zgjedhja e duhur për mua. Më duhet të falënderoj të gjithë ata skuadra që më kanë kërkuar gjatë kësaj periudhe, të them të drejtën nuk e prisja një interesim të tillë, u shpreh ish-kapiteni i Juventusit. Sidnei është një zgjedhje ndryshe nga ana futbollistike, njerëzore, humane dhe ndërtimi i projektit, që është ndryshuar tërësisht për tu përshtatur me mua. Kjo ishte ajo që bëri diferencën në zgjedhjen time. Do të shoh një shtet të jashtëzakonshëm dhe një qytet fantastik.  Kam pyetur nëse në planet e tyre ekzistonte edhe ideja për të fituar dhe mu përgjigjën pozitivisht. E dija që duhet të përmendja medoemos këtë temë, pasi e ndjej veten 100% një futbollist, tregoi ai, duke lënë të kuptohej se nuk shkonte në Australi vetëm për të bërë spektakël, por edhe për motive sportive.
Dashuria për Juven
Del Piero, i cili dhe tek Sydney do të veshë fanelën me numër 10 njësoj si tek Juventus, falenderoi shoqërinë italiane për vitet si lojtar i Zonjës së Vjetër. Dëshiroj të falenderoj Juventusin për të gjitha vitet dhe gjithçka çfarë kam përjetuar me këtë fanellë. Juve do të jetë gjithmonë në zemrën time dhe do të vazhdoj të bëj tifo për këtë ekip. Mendoj se kam dhënë çdo gjë për Juventusin. Alessandro del Piero ka luajtur që nga viti 1993 me fanellën e Juventusit dhe në 19 sezone në të cilat ka zhvilluar 513 ndeshje ka mundur të shënojë 308 gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›