Vigjilencë ndaj trafikimit, zhvillohet takimi i Komitetit Rajonal Antitrafik në Korçë

Parandalimi i trafikimit të qenieve njerëzore dhe identifikimi në kohë i rasteve të dyshimta kanë qenë në qendër të takimit të Komitetit Rajonal Antitrafik në Korçë.
Aktualisht në qarkun e Korçës nuk janë evidentuar persona të klasifikuar si viktima apo viktima të mundshme të trafikimit, por institucionet vlerësojnë se nevojitet vigjilencë e vazhdueshme.
“Natyra e këtyre fenomeneve është dinamike. Në pikat e kalimit kufitar është vërejtur fluks i shtuar i migrantëve, prandaj edhe duhet të jemi vigjilentë. Pavarësisht faktit se në qarkun tonë nuk kemi individë të klasifikuar si viktima trafikimi apo viktima të mundshme të trafikimit”, u shpreh Florinda Zegullaj, Prefektja e Qarkut Korçë.
Në takim u diskutua edhe situata në pikat e kalimit kufitar, veçanërisht në kushtet e flukseve migratore.
“Në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, organizuam shpesh plane masash dhe hetime për raste të tilla, duke evidentuar persona që janë marrë me trafikimin e qenieve njerëzore, kryesisht trafikimin e të miturve, që është një fenomen shumë delikat”, tha Luigj Vathi, Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.
Përfaqësuesit e institucioneve theksuan rëndësinë e shkëmbimit të informacionit dhe identifikimit të rasteve që mund të mbeten të paidentifikuara për shkak të frikës, stigmatizimit apo mungesës së informacionit.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/