Vihet në pranga 27-vjeçari, trafikonte drogë me postë nga SHBA në Shqipëri

Policia ka vendosur në pranga një 27-vjeçar pasi është zbuluar se përmes postës trafikonte lëndë narkotike nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri.
Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim një 21-vjeçar, i cili ishte bashkëpunëtor në ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal.
Në cilësi e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 600 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC.
“Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa, nga ShBA, në vendin tonë, duke përdorur shërbimin postar. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen 1 kg e 600 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune hetimore disamujore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Atlanta”.
Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Për këtë rast u vu në pranga shtetasi I. S., 27 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit F. L., 21 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/