Vihet në shfrytëzim tuneli Tiranë-Elbasan. Kryeministri Berisha: Kjo ditë, krenaria jonë e përbashkët kombëtare, realizim i ëndrrës së shumë brezave

Në një atmosferë të gëzueshme dhe festive, Kryeministri Berisha u prit sot nga qindra qytetarë të pranishëm në vënien në shfrytëzim të tunelit të Kërrabës, i cili i jep jetë dhe bën realitet rrugën më të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, autostradën Tiranë-Elbasan.
-“Emocionet sot janë të mëdha sa vetë rruga, ato nuk kanë të përshkruar” iu drejtua kryeministri mbarë qytetarëve shqiptarë, duke e cilësuar ditën e vënies në shfrytëzim të tunelit Tiranë- Elbasan, si një ditë që do të mbetet në memorien e përbashkët, si dita e krenarisë kombëtare, dita e realizimit të ëndrrës së përbashkët të shumë brezave, të cilët ëndërronin që një ditë Elbasani, “qyteti i shpirtit dhe zemrës te shqiptarëve, ku qytet djepi i dijes dhe shkollimit të tyre të bashkohej me Tiranën nëpërmjet këtij tuneli”.
Kjo rrugë e cilësuar si arteria kryesore e Korridorit 8 vjen për qytetarët shqiptarë si një premtim i mbajtur nga ana e qeverisë, duke përfaqësuar standardet më të larta të ndërtuara deri më sot, në vendin tonë, por edhe në Ballkan. Autostrada, me një vlerë investimi prej 204 milionë dollarë ka një gjatësi 27 kilometra, 4 korsi, me një tunel 2,5 kilometra të gjatë, 7 mbikalime, 21 vijadukte, 4 nënkalime.
Autostrada përbëhet nga tre segmente Segmenti I(Sauk -Tuneli i Krrabës gjatesia 13 km) Segmenti II (Tuneli i Krrabës gjatesia 2.5 km ), Segmenti III (Tuneli i Krrabës – Elbasan gjatesia 11.5 km)
Tuneli i Kërrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim, u realizua në një kohë rekord prej 13 muajsh. Punimet për ndërtimin e tij nisën në muajin maj të vitit 2011, dhe pas afro 9 muajsh filluan edhe dy kontratat e tjera te segmenteve rrugore para dhe pas tunelit.
Autostrada Tiranë-Elbasan u kursen qytetarëve shqiptarë së paku 40 minuta kohë për të mbërritur në destinacionet e tyre, duke bërë që distanca mes dy qyteteve të përshkruhet në më pak se 20 minuta.
Ajo është rrugë kryesore drejt kryeqytetit për qytetarët e rretheve Elbasan, Librazhd, Korce, Pogradec, Kolonje. Ajo gjithashtu është pjesa e pare e Boshtit te Jugut. ( Cerrik, Belsh, Kucove, Berat, Tepelene,Gjirokaster, Delvine, Sarande).Me ndërtimin e saj skajet ekstreme jugore apo lindore te Shqiperise do te arrijne ne Tirane per me pak se 2 ore me perfundimin e segmenteve qe vijne pas autostrades se re.
- Një falënderim të përzemërt, kryeministri drejtoi për punonjësit e kompanisë AKTOR që realizoi punimet në tunel, si dhe veçanërisht presidentit të kësaj firme i cili dëshmoi dashuri, respekt, e përkushtim për Shqipërinë, duke u angazhuar nëpërmjet një pune të palodhur për të përfunduar në kohë rekord, vetëm 13 muaj, hapjen dhe vënien në shfrytëzim të tunelit të Kërrabës.
Kryeministri theksoi se “Shqipëria inauguron sot segmentin më të rëndësishëm në territorin e saj të Korridorit 8, Korridor i cili do të sjellë flukse të mëdha të tregut, energjisë dhe të të gjitha llojeve nga Lindja drejt Perëndimit, portë e të cilit në Ballkan është Shqipëria.”
Por kryeministri tha gjithashtu se “Autostrada Tiranë –Elbasan është segmenti më i rëndësishëm të Korridorit të jugut, Korridor, i cili do të sjelle më afër Beratin, Tepelenën Dumrenë, në një kohe rekord në Tiranë , pra ky korridor për rëndësinë e tij është i jashtëzakonshëm për zhvillimin e Shqipërisë, për zhvillimin e shqiptarëve”
Fillimisht, kryeministri u prit në hyrjen e tunelit nga ana e Tiranës, nga deputetë të qarkut të Tiranës dhe kryetarë të komunave përreth, ku bashkë me të cilët përshkroi tunelin deri në daljen e Elbasanit, dhe u prit nga deputetë të Elbasanit, punonjës të firmës AKTOR.SA, si dhe qytetarë të shumtë.
Në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve dhe qytetarëve të mbarë Shqipërisë, kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur qytetarë dhe qytetarë të Elbasanit
Vëllezër e motra, zonja dhe zotërinj
Qytetarë dhe qytetare të Tiranës, Librazhdit, Gramshit, Dumresë, Pogradecit Korçës, Bilishtit, Kolonjës, Shkodrës, Lezhës, Vlorës, Gjirokastrës, Durrësit,Shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni,
Sot, përshëndetjet e mija më të përzemërta, urimet më vëllazërore, për këtë ditë, e cila do të mbetet në memorien tonë, si një ditë e krenarisë sonë individuale, si një ditë e krenarisë sonë kombëtare, sepse ne sot, më 16 qershor të viti 2013 bëjmë të vërtetë, realizojmë një ëndërr tonën, një ëndërr, por jo vetëm të gjeneratës sonë por të gjeneratave të tëra, të cilat ëndërronin që një ditë Elbasani, ky qytet i shpirtit dhe zemrës te shqiptarëve, ky qytet, djepi i dijes dhe shkollimit të tyre të bashkohej me Tiranën nëpërmjet këtij tuneli.
Emocionet sot janë të mëdha sa vetë rruga, ato nuk kanë të përshkruar, por njëkohësisht dhe kënaqësia është shumë e madhe sepse sot në 16 qershor, vendi i cili vetëm 6 vite më parë kishte rrjetin rrugor më të shkatërruar, më të prapambetur, jo vetëm në Evropë por edhe më gjerë po çan male, po ndërton kryevepra inxhinierike, po krijojn realitete të reja gjeografike, realitete të reja ekonomike dhe sociale
Por siç e do rregulli një falënderim shumë të përzemërt dua ti drejtoj kompanisë AKTOR, Dhimitrit presidentit të kompanisë i cili me ato fjalë shqip që shqipëroi këtu dëshmoi dashurinë e tij, respektin e madh, përkushtimin, ndaj zhvillimit të Shqipërisë, forcën që e bëri atë të shpojë Kërrabën në një kohë rekord, prej 13 muajsh dhe të vendosë në këtë tunel teknologjitë më të larta europiane, të ndërtojë këtu një nga kryeveprat inxhinierike të kohës së sotme.
Vëllezër e motra,
Sot, tuneli dhe autostrada sjellin Elbasanin pranë Tiranës dhe e bëjnë atë qytetin më të afërt, por Librazhdi, Gramshi dhe Dumreja do të jenë në Tiranë, në harkun kohor 30-45 minuta. Pogradeci, Korça, Bilishti, Kolonja do të vinë në Tiranë për një orë më shpejt. Por tuneli, autostrada është segmenti më krenar dhe i pavdekshëm i korridorit 8. Shqipëria inauguron sot segmentin më të rëndësishëm në territorin e saj të Korridorit 8, Korridor, i cili do të sjellë flukse të mëdha të tregut, energjisë dhe të të gjitha llojeve nga Lindja drejt Perëndimit, portë e të cilit në Ballkan është Shqipëria.
Autostrada Tiranë –Elbasan është segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të jugut, Korridor, i cili do të sjelle më afër Beratin, Tepelenën, Dumrenë në një kohe rekord në Tiranë, pra ky korridor për rëndësinë e tij është i jashtëzakonshëm për zhvillimin e Shqipërisë, për zhvillimin e shqiptarëve
Vëllezër e motra,
Autostrada Tiranë-Elbasan dhe tuneli janë një financim me ndjenjat më miqësore i Bankës Islamike për zhvillim, fondit të Abu Dabhi-t, dhe fondeve të tjera, ndaj dhe mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre që me financimin e tyre bënë të mundur këtë kryevepër në infrastrukturën shqiptare. Mirënjohje punëtorëve, teknikëve, inxhinierëve që punuan 24 orë në 24 orë në këtë vepër, pa u lodhur me vetëmohim që tja u bëjnë shqiptarëve dhuratë në kohën më të shkurtër, ashtu siç u bë.
Miqtë e mi,
Tuneli është monument madhështor i një modeli, i cili ka vetëm një qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, mbështetje e suksesit tuaj kudo që jeni. Me tunelin ne bëjmë ne bëjmë që tregu i madh i Tiranës dhe Elbasanit të shkrihen në një. Ne bëjmë që prodhimet e mëdha të Elbasanit, Korçës të vinë tregun më të madh të vendit, me koston më të ulët dhe shpejtësinë më të madhe.
Ne bëmë që nëna me fëmijën e saj që kërkon ndihmë të kualifikuar të arrijë në Tiranë në kohë rekord, që studentët e Elbasanit dhe Tiranës që studiojnë në universitete e këtyre qyteteve nuk kanë nevojë më të kërkojnë strehim por të marrin autobuzin dhe për një çerek ore janë në destinacion. Ky model ka qënë një model frymëzës në të gjithë këto vite. Ndaj dhe ne ndërtuam rrugën e kombit, afruam Tiranën me Prishtinën në 2 orë e gjysmë. Ndërtuam dhe po ndërtojmë autostrada në të 4 anët e vendit, nga Hani i Hotit në Shkodër, nga Shkodra deri në Konispol dhe Gjirokastër. Ndërtuam autostradën Lushnjë-Fier-Vlorë, Levan-Tepelene-Gjirokastër. Ndërtuam rrugën e Bregut.
Sot, çdo shqiptar nga Konispoli në Vermosh, nga Hani i Hotit në Gjirokastër udhëton në rrugët më moderne, të denja për qytetarët e një vendi të zhvilluar. Modeli ynë është modeli i zhvillimit.
Unë jam mjek dhe për mua trupi i një kombi është i njëjtë me trupin e një individi. Le të jenë si të duan të shëndetshme, organet e tij, muskujt e tij, por në qoftë se arteriet janë të zëna dhe nuk funksionojnë, problemi është i madh. Po kështu dhe me vendin. Lë të ketë ai pasuritë më madhore, potencialet më të mëdha, po nuk pati rrugë, po nuk pati zhvillim të gjitha mbeten objekte, asete, pa vlere dhe të fjetura.
Për mua trupi i kombit është si trupi i individit. Dija është truri i tij. Ndaj dhe ne në modelin tonë kemi bërë gjithçka që krahas rrugëve të ndërtojmë shkolla, të hapim universitete, të hapim dyert e universiteteve për shqiptarët. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla, ndër më modernet. Për ne dija është themeli, ndaj dhe ne në një hark kohor të shkurtër ne kaluam nga interneti inekzistent, tek Shqipëria dixhitale, autostradat e saj qarkojnë në mbarë Shqipërinë.
Modeli ynë është modeli i zhvillimit, kemi ndërtuar në këtë Shqipëri mbi 400 qendra shëndetësore dhe spitale. 4 vitet që vijnë, fjala ime e nderit është se sistemi më i përsosur i menaxhimit të tyre dhe financimit do të vendoset dhe ju do të merrni shërbimet më moderne.
Vëllezër me motra,
Tuneli që sapo inauguruam, qindra e qindra qendra shëndetësore, ujësjellës, kanalizime, 1300 shkolla, subvencioni i 45 mijë fermerëve, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve janë të gjitha mbështetje për të gjithë shqiptarët pa dallim demokratë, socialistë, të pa parti dhe unë ju garantoj ju se siç bashkon Tiranën dhe Elbasanin, ky tunel do të bashkojë gjithë shqiptarët modeli ynë i zhvillimit, modeli ynë i punësimit, modeli ynë i rritjes së rrogave, modeli ynë i mirëqenies, modeli ynë i integrimit në BE. Ndaj dhe është rasti të ftoj të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë të bashkohemi në përpjekjen tonë për Elbasanin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar, të bashkohemi që djersa e ballit të japë më shumë fitime, mirëqënie, për çdo qytetar të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë.
Të bashkohemi për të bërë realitet projekte të tjera të mëdha, Kaskadën e Devollit, Gazsjellësin Trans Adriatik, qindra hec për të ndërtuar, çdo rrugë dhe rrugicë në qytetet dhe fshatrat tona për të ecur me shpejtësi drejt cilësisë.
Ky është modeli për të cilin ne ftojmë çdo shqiptar, le të shohi modelin tjetër, modelin e dëshpërimit, modelin e zhgënjimit, modelit të pesimizmit, mbjelljes së zisë dhe dëshpërimit kudo. Ky model i fabrikuar nga njerëz pa ide, nga njerëz të ndryrë në autobuzin mavi, kërkon që tunelin tuaj , rrugët tuaja, shkollat tuaja, shtëpitë e reja tuaja ti mohojë, ti fusë në thesin e Koços dhe bashkë me Koçon në autobvuzin mavi.
Ndaj dhe është koha që më shumë se kurrë të bashkohemi. Ne mbajmë fjalën tonë dhe inaugurimi i sotëm është dëshmi e një fjale të dhënë, e një një fjale të mbajtur para jush qytetarë të Elbasanit, para mbarë shqiptarëve.
Në këtë ceremoni ishte i ftuar kryetari i bashkisë së Elbasanit, pasi donim që ai të përfaqësonte qytetarët. Për arsye partiake ai nuk erdhi por i garantoj elbasanasit të djathtë, të majtë, të pa parti se kjo është vepra e tyre, ta gëzojnë ata dhe mbarë shqiptarët.
Gjithë këto ditë kam menduar për zotimin e Ben Blushit dhe kam vendosur ta ftoj në selinë e PD dhe ti dorëzoj dokumentin e PD vetëm e vetëm për ti dhënë atij mundësinë njëherë në jetë për të mbajtur fjalën e tij. Ndaj dhe e pres në seli që ti dorëzoj atë dokument se ne tunelin e ndërtuam.
Kjo është alternativa jonë, alternativa e ideve, tuneleve, e shkollave, e autostradave, e integrimit në Evropë. Ndërsa alternativa tjetër ka vetëm një argument. Atë e ka kapur sindromi i moshës sime. Dëgjojeni vëllezër se çfarë është ky sindrom. Duke patur vite rinie, pa rini, shoku i autobuzit ka ardhur tek të 50-ta me ide boshe në kokën e tij dhe tani meqenëse nuk kap dot vizionin tonë, nuk kap dot rrugët, autostradat dhe integrimin europian, gërmon dhe gërmon në të shkuarën e tij dhe nxjerr ide të së shkuarës për tua servirur shqiptarëve, mashtrime, mallkime dhe gjëra tërësisht të pavlera, por kjo nuk është përgjegjësia ime. Ai u rrit zvarranik në bunkerë, ndërsa unë u rrita zog malesh dhe ja ku jam si zogjtë që fluturojnë.
Ndaj dhe ju ftoj të ecim përpara 7 ditë na ndajnë nga fitorja e merituar, ajo është në dorën tuaj. Le të bëjmë gjithçka që këto 7 ditë ta zmadhojmë, ta rrisim, ta bëjmë atë fitoren më të madhe në të gjithë historinë tonë, ta ngremë në lartësinë e autostradës, të tunelit, të integrimit të punësimit, të shpresës, të besimit tek e ardhmja,
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!
Zoti ju bekoftë Ju! Zoti e Bekoftë Shqipërinë!
Përpara, Votoni 44!
Fitore! Fitore! Fitore!
16/06/2013