E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Has, Kukës

Të dashur kuksiane dhe hasjanë, mirënjohjen më të thellë për pritjen tuaj të zjarrtë, nderimin tim të madh për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme dhe zotimin tim para jush se do të punojmë shumë sëbashku, për Hasin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar.

Vëllezër e motra,

pak vire më parë, ne nisëm sëbashku përpjekjen e madhe për të zhvilluar Hasin, Tropojën, Kukësin e mbarë Shqipërinë. Vetëm pak vite më parë në Tropojë, në Has, në Kukës, në Peqin, Dumre, Mallakastër, Tepelenë, Përmet dhe pothuaj në shumicën dërrmuese të rretheve të vendit nuk kishte as edhe një kilometër rrugë të asfaltuar, përveç rrugëve kombëtare. Shqipëria e tëra gjendej në baltë, me rrugë të shkatërruara.

Këto vite, sëbashku, këtu në Has, Tropojë, Kukës e mbarë Shqipërinë kemi ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë. Nuk do harroj kurrë gëzimin e banorëve të Golanit, kur për herë të parë inauguruam rrugën Golaj-Qafë Prush. Por sot kemi asfaltuar shumë rrugë të tjera. Prapë kemi për të vazhduar, ndaj le të vazhdojmë përpjekjen tonë për zhvillimin e Hasit e të Shqipërisë.

Pak vite më parë, shkollat e Hasit ishin të rrënuara, po shkatërroheshin, sot të gjitha, përveç dy, janë të reja ose të rindërtuara e ndër më modernet. Pak vite më parë, vajzat e djemtë tuaj që mbaronin gjimnazin, nuk ndiqnin dot universitetet. Universitetet për fëmijët tuaj ishin mollë e ndaluar, ndërsa sot çdo vajzë e djalë nga Hasi, Tropoja, Kukësi e mbarë Shqipëria i ka të hapura dyert e universiteteve dhe me djersën e tij realizon ëndrrën universitare.

Pak vite më parë, fshatarët në Has e mbarë Shqipërinë kishin një pension qesharak 3400 lekë. Sot, ky pension është rritur mbi dy herë dhe ne do të vazhdojmë ta rrisim më tej.  Pak vite më parë, mësuesit e infermierët kërkonin me të gjitha mjetet të largoheshin nga profesioni i tyre, pasi rrogat e tyre ishin qesharake. Sot i kemi ngritur 140-150 përqind dhe ata i janë përkushtuar profesionit të tyre.

Pak vite më parë, në mbarë Shqipërinë, dhjetëra mijëra hektarë tokë mbeteshin djerrë, ndërsa këto vite, këtu në Has e në mbarë Shqipërinë, ne kemi subvencionuar dhjetëra mijëra hektarë dru frutorë, sera e bimë të tjera. Bujqësia shqiptare ka nisur një kapitull të ri, atë të prodhimit shumë herë më të madh e mëkëmbjes së fermerëve shqiptare.

Pak vite më parë, për hasianët e shqiptarët, anëtarësimi në NATO ishte një ëndërr e largët, por sot jemi anëtar të NATO-s, krenarë e të sigurt në lirinë tonë. Pak vite më parë, në këtë shesh kam premtuar heqjen e vizave me Bashkimin Europian. Vizat i hoqëm e lëvizim të lirë dhe bëmë reale një ëndërr tjetër të bukur. Pak vite më parë, ne u angazhuam të ecim drejt Europës dhe merituam statusin e vendit kandidat, por na e bllokoi një njeri, i cili vendosi të shkelmoi mbi interesin e çdo shqiptari, vetëm e vetëm për ligësinë e tij, por e detyruan të votojë ligjet dhe statusin do ta marrim së shpejti. Pak vite më parë, tuneli i Kalimashit, rruga e kombit dukej një ëndërr e largët dhe shumë  e largët, por sot ja ku e kemi, një ëndërr e vërtetë dhe tani po ndërtojmë me parametrat më të gjerë, rrugën Krumë-Kukës.

Qytetare e qytetarë të Krumës, Hasit,

kjo është alternativa jonë, ndaj thirrja ime vëllazërore për ju është që me këtë entuziazëm të zjarrtë që kemi për fitoren të bëjmë gjithçka këto tetë ditë që kanë mbetur, për të bindur çdo banor të Hasit, socialistë e të paparti, të vijnë me ne, të vijnë në alternativën tonë. Alternativa jonë është ndërtimi i një infrastrukture moderne në Has e kudo ku banojnë shqiptarët. Alternativa jonë është shtimi i madh i vendeve të punës në qytete duke ulur taksat e subvencionim i fermave tre herë më shumë se sot, shfrytëzim i pasurive natyrore dhe shndërrimi i tyre në vlera për qytetarët. Të vijnë me ne, në alternativën tonë, për rritjen e mëtejshme të rrogave dhe pensioneve, të vijnë me ne, në alternativën tonë, për ecjen përpara drejt statusit të kandidat në Bashkimin Europian dhe integrimin e Shqipërisë në Europë, të vijnë me ne për të hequr vizat me vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vijnë me ne për të hequr doganat me Kosovën dhe për të krijuar hapësirën ekonomike shqiptare. Kjo është alternativa jonë.

Alternativa tjetër ju servir mashtrime, trillime dhe fiksime. Edi Rama, sapo del nga autobusi mavi, shpërndan kudo mashtrime, trillime, poshtërime, fiksime. Për atë, ju, gratë e burrat hasiane në këtë shesh, nuk jeni qytetarë të lirë, por robër e skllevër të Sali Berishës, por ju jeni gratë e burrat e lirisë,  skllav e rob është ai, pasagjeri i autobusit mavi. Për Edi Ramën, NATO është natë, sepse të tillë e konsideronin etërit e tij, Bashkimi Europian nuk është as bukë, as ujë, ndaj mund të shkelmojë mbi interesin tuaj të integrimit. Për Edi Ramin, për të mbledhur vota duhen rritur taksat, duhet kaluar në taksën progresive, në mënyrë që të shkatërrohen dhjetëra mijëra vende pune e të largohen mijëra investitorë. Për Edi Ramën, jeleku im është këmishë e blinduar, vuan nga fiksimet, por për ato nuk kemi ç’ti bëjmë.

Socialistë dhe socialiste, demokrate e demokratë, banorë të paparti të Hasit, janë dy modelet që keni për të zgjedhur. Modeli i Sali Berishës dhe i juaji, i bazuar në djersën e ballit, i bazuar në guximin, ndershmërinë, në punën me përkushtim për të zhvilluar Shqipërinë, për të rritur begatinë e familjeve tona,  begatinë e Shqipërisë.

Modeli i Edi Ramës, i cili nuk shkelte në zyrën e bashkisë 270 ditë në vit, është modeli i njeriut që zhduket me korë të tëra dhe vetëm punën nuk e njeh se çfarë është. Modeli i Sali Berishës dhe juaji, që nderon çdo pikë djerse të njëri-tjetrit, çdo arritje të njeri-tjetrit, çdo tullë që vendosim për ndërtimin e të ardhmes, çdo dru që mbjellim dhe modeli i tij që gjithçka i duket rrënim dhe shkatërrim. Modeli i Sali Berishës, i cili njëlloj si shumica prej jush, pas 20 vitesh në politikë jeton në një apartament 125 metra katror dhe modeli i Edi Ramës, i cili mësyn karrigen e kryeministrit me një vila 57 metra të gjatë dhe një pallat tjetër në shpinë, pa treguar as edhe një qindarkë me se i ka ndërtuar dhe me se po i ndërton.  Modeli juaj dhe i Sali Berishës që bazohet tek njerëz të ndershëm, njerëz të përkushtuar ndaj jush. Modeli i Edi Ramës që bazohet tek lolo, që i vijnë këtu për të blerë vota në mënyrën më të turpshme dhe mendojnë se mund të blejnë vota në Has, Kukës apo Tropojë. Modeli që bazohet në Koço, që mesa duket paguajnë faturën e pallatit në pajë dhe vilës 57 metra, për shpërblimet që ka marrë me taksat e qytetarëve të Tiranës.

Dy modele përballen në këto zgjedhje. Modeli juaj i respektit për familjen, i respektit për njerëzit tuaj, i respektit për vlerat dhe modeli i tij që pas çdo fushate, martohet edhe një herë me qëllim që të shtojë vota.

Në 23 qershor përballen dy modele. Modeli juaj, grave e burrave të sjellshëm e fisnikë, që dini t’i lëshoni radhën njëri-tjetrit kur flisni, që dëgjoni njëri-tjetrin dhe i Sali Berishës që ju dëgjon juve dhe ju respekton dhe modeli i njeriut të papërgjegjshëm që kap për flokësh atë që i kundërvihet, që i pret fjalën, që ulet, largohet, ua lë fjalën në gjysmë, pa pikë respekti për atë që bisedon.  Modeli juaj, që bëni sakrifica të mëdha dhe mbështesni integrimin e Hasit dhe Shqipërisë në Europë, që jeni të bindur se ajo është e ardhmja më e shkëlqyer për ju dhe fëmijët tuaj dhe i Sali Berishës që bën gjithçka sëbashku me ju, për të bërë të vërtetë ëndrrën tuaj europiane, siç bëmë NATO-n, siç bëmë vizat, siç do të bëjmë statusin dhe modeli i Edi Ramës që nuk pyet për asnjë prej jush, por mbajti peng 231 ditë statusin e vendit kandidat dhe qindra milionë euro investime për ju, investime për Shqipërinë.

Ndaj, midis dy alternativave, midis dy modeleve le të zgjedhim modelin që na bashkon ne të gjithëve demokratë, socialistë e të paparti, shqiptarë që duam Shqipërinë, shqiptarë që duam familjen, shqiptarë që e duam dinjitetin, shqiptarë që e duam begatinë, shqiptarë që i besojmë punës, shqiptarë që i besojmë integrimit në Europë. Rrofshi ju! Rroftë Hasi! Rroftë Shqipëria!


15/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›