Vijimi i modernizimit të sistemit elektrik, OSHEE çel thirrjen për pjesëmarrje ndërkombëtare

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Njësia e projekteve të huaja në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Group, në bashkëpunim me bankën KfW, do të nisë procedurën e prokurimit ndërkombëtar për projektin “Programi i investimeve në shpërndarjen e energjisë I”.
Në një njoftim për shtyp, OSHEE bën të ditur se ky projekt i vjen në ndihmë OSHEE Group për të forcuar strukturën organizative dhe funksionimin e saj, për të mbështetur zgjerimin dhe modernizimin e sistemit elektrik të vendit.
Sipas OSHEE-së, kjo përpjekje trajton nevojën e vendit për infrastrukturë të përmirësuar të energjisë elektrike dhe efikasitet më të madh të energjisë, në kuadër të Programit të Investimeve në Shpërndarjen e Energjisë I.
Programi pritet të përfundojë tre komponentët e tij të parë deri në fund të vitit 2026, të cilët përfshijnë modernizimin e sistemit SCADA, përmirësimet në sistemet e shpërndarjes dhe dispecimet, ndërtimin e nënstacioneve të reja dhe zgjerimin e rrjetit të tensionit të mesëm.
OSHEE Group fton të gjitha kompanitë e interesuara të marrin pjesë në tenderin ndërkombëtar për projektin “Programi i investimeve në shpërndarjen e energjisë I”.
/r.e/a.f/

