E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vijojnë kërkimet për 30-vjeçarin që e mori rrjedha e lumit Mat, asnjë gjurmë nga trupi i të riut në Klos

Kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj vijojnë edhe këtë të diel.

22 efektivë të Forcave të Armatosura dhe polumbarët e regjimentit të operacioneve special vijojnë kërkimet për të riun që dyshohet se u mor nga rrjedha e lumit Mat pas një aksidenti me makinë.

Me ndihmën e dronëve dhe pajisjeve të specializuara, terreni po kontrollohet, nga ura e Darsës në Klos deri në bashkinë e Matit.

Aksidenti u regjistrua në orët e para të së shtunës, ku automjeti tip audi në të cilën udhëtonin dy të rinj doli nga rruga dhe ra në ujë.

Drejtuesi 24-vjeçar Andi Losha ka arritur të dalë nga makina dhe ka shpëtuar, por fati nuk ishte me 30-vjeçarin Jurgen Karaj, të cilin e mori rrjedha e përroit.

Policia arrestoi një ditë më parë 24-vjeçarin Losha, pasi u largua nga vendngjarja dhe nuk i dha ndihmë pasagjerit të tij.

Pas arrestimit, 24-vjeçari iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›