Vijon kthimi i emigrantëve për votimet, mijëra persona brenda 24 orëve
Kakavijë- Në pikat kufitare të vendit vijon fluksi në hyrje i emigrantëve shqiptarë që po mbërrijnë për të votuar të dielën në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Sipas të dhënave vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri më shumë se 7.000 emigrantë.
Mësohet se fluksi më i madh i hyrjeve është shënuar gjatë orëve të natës. Mbrëmë në Kakavijë kanë kaluar mbi 120 autobusë dhe 1.700 mjete të vogla me emigrantë shqiptarë.
Sërish edhe mbrëmë emigrantët pohojnë thanë se për disa biletat kanë qenë të sponsorizuara nga parti politike në Shqipëri.
Nga Kakavija mësohet se si pala shqiptare ashtu edhe ajo greke po punojnë me numër maksimal sportelesh. Ndërkohë pritet që fluksi të kulmojë gjatë orëve të mbrëmjes dhe mëngjesit të së dielës.
Sakaq në portin më të madh në vend, atë të Durrësit kanë hyrë orët e fundit mbi 1.000 persona.