E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vijon rinumërimi në Tiranë, hapen 380 qendra votimi, ja si kanë lëvizur votat

Për të katrën ditë vijon numërimi për qarkun e Tiranës , ku nga 1282 kuti në total deri tani rezulton të jenë rinumëruar vetëm 380.

Gjatë këtij procesi është vënë re se një numër i lartë i fletëve të votimit  të pavlefshme në 11 maj janë lexuar si të vlefshme.

Për më shumë informacione me atë që po ndodh gjatë procesit të rinumërimit, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga pallati i sportit “Fahrie Hoti” gazetarja Jonida Omeri u shpreh për RTSH se, “ kërkesa e rrëzuar e Partisë Socialiste për vota e pavlefshme është bërë për vetë faktin se është vënë re një trend në rritje të shpalljes si të pavlefshme krahasuar me numërimin fillestar më 11 maji, atëherë kur këto vota ishin konsideruar të vlefshme.”

Sipas saj, KAS ka vendosur të vlerësoi vota të vlefshme sidomos për kanidatët preferencial, vetëm ato vota ku shenja e votimit është vendosur brenda kuadratit të kandidatit dhe i ka konsideruar të pavlefshme ato vota ku shenjat përcaktuese të procesit të votimit janë vendosur përbri emrit  apo ishte rrethuar kandidati preferencial.

Duke iu referuar kërkesës së PS-së, Omeri tha se,” pikërisht ky subjekt politik kërkon që të bëhet e mundur shpallja e vlefshme e këtyre votave pasi vihet re një trend ulës i votave të deputetëve të përzgjedhur për shkak të këtij vendimi të marr.”

“Ditën e djeshme këtë kërkesë të PS-së e rrëzoi.”

Më tej ajo tha se jo vetëm për kandidatët preferencial por dhe në subjektet zgjedhore nga procesi i rinumërimit vihet re një ndryshim në shifra të lehta për sa i përket marrjes apo heqjes të votave të partive mes njëri-tjetrit por edhe ndërmjet kandidatëve.

Deri në këto momente, nuk rezulton të kemi ndryshim ndërmjet subjekteve politik për numrin e mandateve.

“Aleanca për Shqipërinë Madhështore , e cila nga numërimi fillestar më 11 maji në këtë rinumërim që është duke u zhvilluar rezulton të ketë marr deri në këto momente 193 vota të pamerituara. Partia Socialiste deri në këto momente rezulton të ketë 173 vota të cilat janë quajtur të vlefshme më 11 maji.”

Përsa i takon marrjes apo heqjes së votave, gazetarja sqaroi se nuk ka ndodhur vetëm  ndërmjet subjekteve politike por dhe vetë kandidatëve preferencial.

“Dy kandidatët e Koalicionit e ASHM, Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku, rezulton se, Alimehmeti ka përfituar në mënyrë të pamerituar 39 vota, ndërkohë zonja Tabaku ka përfituar vetëm 5 vota. “

Për sa i takon përballjes në kampin rozë ndërmjet dy kandidatëve Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka, ku kjo e fundit kishte një epërsi prej 140 votash .  nga rezultatet e kutive të numëruara rezulton që Gjylametit ti jenë hequr vetëm 7  vota nga  numërimi fillestar, ndërsa Xhaçka ka përfituar në mënyrë të pamerituar 16 vota.

Procesi do të vijojë dhe në ditët në vijim sepse deri tani janë numëruar vetëm 380 qendra votimi.

Procesi i rinumërimit për qarkun e Tiranës po zhvillohet në pallatin e sportit “Fahrie Hoti”, ku do të numërohen të gjitha kutitë e votimit brenda vendit në 18 KZAZ.

Në total janë 1282 qendra votimi dhe rinumërimi përfshin si votat për subjektet politike, ashtu edhe ato për kandidatët individualë.

Lëvizje votash janë evidentuar edhe në listën e Partisë Socialiste. Xhemal Qefalia figuron me 125 vota më shumë në numërimin fillestar, ndërsa përballë tij, Orlando Rakipi ka një diferencë prej 5 votash.

Procesi në kryeqytet pritet të zgjasë rreth 10 ditë. Pas përfundimit të kësaj faze, do të fillojë rinumërimi në qarkun e Fierit me 587 kuti, e më pas në Durrës, ku do të shqyrtohen 360 kuti votimi, përfshirë 85 kuti që vijnë nga diaspora.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›