E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vildanja, libër për Kosovën

Vildane Zeneli është një nga modelet shqiptare më të njohura në Amerikë. Ajo aktualisht është pjesë e “Ford Models”, një agjenci mode mjaft e  njohur në New York.  Ndërkohë, ajo ka filluar karrierën edhe në muzikë, si këngëtare. Shumë shpejt pritet të dalë albumi i saj i ri në treg, në të cilin përfshihet edhe një bashkëpunim mjaft interesant me këngëtarin dhe muzikantin e njohur Will. I. am.

Vildanja ka lindur në Prishtinë, ku edhe ka kaluar fëmijërine, që mes tjerash karakterizohet edhe me kujtimet e hidhura të luftës.

"Unë kam lindur në Prishtinë, në Kosovë. Mund të them se kam pasur një fëmijëri të bukur. Kam qenë një fëmijë shumë e shkathët. Më kanë pëlqyer sportet dhe kam qenë në kurse karateje për 6 vjet. Nisi si një hobi dhe mbi të gjitha unë doja të shkoja, pasi të gjithë fëmijët e tjerë të fqinjëve shkonin. Pastaj u dashurova me këtë sport dhe u bëra një nga më të mirat e klubit të karatesë. Unë mora pjesë në disa kompeticione për fëmijë të vegjël dhe nga ajo kohë kam 3 medalje ari dhe 2 argjendi. Gjithashtu më pëlqen të shkruaj poezi për gjyshin tim, të cilin e dua shumë, por edhe për gjëra që kanë një impakt për mua në njëfarë mënyre. Kam ndjekur shkollën deri në klasë të 6-të pasi e 7-ta u pre në mes për mua dhe fëmijët e tjerë për shkak të luftës, e cila nuk ndërpreu vetëm shkollën tonë, por mori edhe shumë jetë njerëzish", ka thënë Zeneli për mediat shqiptare.

Ajo ka bërë të ditur se Kosova do të jetë nder temat kryesore të trajtuara në librin e saj, që do të publikohet së shpejti:
"Po shkruaj një libër dhe do të jetë për jetën time, Kosovën, jetën në Amerikë, karrierën time dhe rreth çdo gjëje që më ka shoqëruar." /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›