Visha:Gjyqet zvarriten nga Prokuroria jo nga avokatët

Kreu i shoqatës së avokatëve penalistë Saimir Visha ka fajësuar prokurorinë se është përgjegjësja kryesore për zvarritjen e gjyqeve.
Duke folur në takimin e avokatëve penalistë ku janë diskutuar problemet në sistemin e drejtësisë, Visha duke iu referuar gjyqit të Gërdecit, theksoi se zvarritja e gjyqit nuk ka ardhur nga avokatët por nga puna e dobët e organit të akuzës.
Sipas tij avokatët nuk kanë interes zvarritjen e procesit gjyqësor por puna e bërë nga prokuroria nuk është e mjaftueshme.
Ndërkohë duke iu referuar edhe ngjarjes më të fundit ku makinës së avokatit Genc Gjokutaj iu vendos lëndë eksplozive, kreu i shoqatës së avokatëve penalistë Visha e cilësoi atë skandaloze dhe se avokatët ndihen të pambrojtur nga shteti.
“Ngjarja ku një avokati i vihet bombë poshtë makinës është skandaloze dhe shteti hesht për sulmin që i bëhet avokati. Shteti nuk na merr në mbrojtje” theksoi Visha.
Gjithashtu Visha theksoi se një problem tjetër është edhe vendosja e kasës fiskale që sipas tij është e padrejtë.