Vit i Ri i acartë, sa parashikohen temperaturat në ditët e ndërrimit të viteve

Fundjava e fundit e vitit dhe ditët e ndërrimit të viteve do të karakterizohen nga mot i ftohtë dhe temperatura të ulëta në të gjithë territorin e vendit.
Sipas parashikimeve, gjatë fundjavës së fundit të vitit pritet mot i kthjellët, por i ftohtë.
Temperaturat minimale parashikohen të zbresin në -3 deri -4 gradë Celsius në zonat malore, ndërsa në ultësirën perëndimore nga -1 deri në 0 gradë Celsius.
Sinoptikanët theksojnë se nga dita e hënë dhe e martë, deri në ditët e ndërrimit të viteve, veçanërisht më 31 dhjetor dhe 1 janar, moti do të jetë edhe më i ashpër.
Në relievet malore temperaturat minimale do të arrijnë në -8 dhe -9 gradë Celsius, në zonat e ulëta -4 deri -5 gradë, ndërsa në bregdet 0 deri në -1 gradë Celsius.
Temperaturat e mesditës gjatë fundjavës do të luhaten në 13–14 gradë Celsius, ndërsa gjatë ditëve të ndërrimit të viteve nuk pritet të kalojnë 7–8 gradë në ultësirën perëndimore.