E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 1967, lufta kundër fesë dhe roli i Sigurimit të Shtetit

Nga Luan Shtëpani

DUKE SHEMBUR OBJEKT KULTINë janar të vitit 1967, rinia e shkollës së mesme Naim Frashëri, në Durrës shpalli publikisht nismën: Të luftojmë deri në fund ideologjinë fetare, besëtytnitë, zakonet prapanike. Ndërsa më 6 shkurt të vitit 1967, Enver Hoxha mbajti fjalimin me temë Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit. Dy ditë pas këtij fjalimi gazeta ZP i bënte jehonë nismës së nxënësve dhe mësuesve të shkollës nëpërmjet kryeartikullit: Me shpatën e mprehtë të ideologjisë së partisë kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive dhe zakoneve prapanike. Në Durrës dhe qytete e krahina të tjera, nisën debatet, fletë-rrufetë, e veprime të tjera konkrete kundër fesë. Më 26 mars organizohet Kuvendi i tre brezave në Lezhë, si simbol i karakterit masiv të asaj lëvizjeje. Ndërkohë, Enver ENVERI PER FENEHoxha insistonte për punë bindëse. Ai do të deklaronte: Populli duhet të bindet për kotësinë dhe rrezikshmërinë e fesë, e kishës, të xhamisë, të çdo institucioni e zakoni fetar dhe vetë të marrë vendim të prishë ose jo, ta braktisë fenë menjëherë ose ngadalë. Reforma e suprimimit të klerit, faltoreve dhe praktikave fetare, u realizua pa ndonjë rezistencë të konsiderueshme nga masat popullore. Kjo reformë u mirëprit dhe u përshëndet nga lart, pra nga partia në pushtet. Më 9 qershor 1973, në Shkodër u çel edhe muzeu ateist. Nisur nga situata e krijuar titullarë të regjimit nxituan të bëjnë përpjekje maksimale për të treguar së janë vigjilentë dhe të gatshëm për të çuar deri në fund porositë e partisë dhe të E. Hoxhës. Puna propagandistike ilustrohej vazhdimisht me porositë e partisë dhe bisedat me udhëheqjen. Argumentohej se duhet të dëgjohej zëri i masave. Pra, që komunistët të kryenin mirë detyrën, duhet medoemos që të jenë në gjendje tia bëjnë të qartë masës dhe ti bindin ato, të dëgjojnë dhe të mësojnë prej saj.
Propaganda kundër fesë
Rezulton në një dokument se gjatë bisedës së një drejtuesi të lartë të kohës me Enver Hoxhën për luftën kundër fesë dhe iniciativat që janë marrë, udhëheqësi komunist të ketë deklaruar: Kjo që po bëhet në vendin tonë, nuk është bërë në botë. Ne mund të jemi, p.sh, një shekull para botës. Duke komentuar këto shprehje në bazë u vlerësua se sa kuptim të thellë kanë këto fjalë. Sipas tyre, nuk ekziston sot një vend në botë që të fshijë me fshesë të madhe çdo gjë fetare, kishat, xhamitë, klerikët, dhe festat fetare. Krahasimi bëhej me Bashkimin Sovjetik ku sipas udhëheqësve të lartë komunistë të Shqipërisë nuk u bë ndonjë përmbysje rrënjësore me fenë, siç u bë në vendin tonë. Po ashtu në Kinë, nuk po veprohet si në Shqipëri, ndërsa në vendet e cilësuara revizioniste, feja dhe çdo gjë antisocialiste është në lulëzim e sipër. Shkohet dhe më tej, teksa propagandohej se përsa i përket emancipimit të gruas Shqipëria është shumë para vendeve të tjera dhe se për këtë mund të shprehen ata që e kanë parë nga afër realitetin në BS dhe në republikat e saj se çfarë roli luante feja e kleri dhe se çfarë koncepti kishin për gruan. Thuhet se duhet të kuptohet mirë esenca ideologjike e të gjithë këtyre masave, të cilësuara revolucionare.
Raporti
Përsa i përket riteve fetare të cilat bëheshin në mënyrë të fshehtë do të vinin raportimet e para. Kështu raportohet se me rastin e pashkëve në një fshat të Korçës, plaku i cili ishte marrë në pyetje kishte deklaruar se e gjithë përgatitja ishte bërë për 1 Maj. Mirëpo, atje vinte erë qiqër dhe se përgatitja ishte bërë për pashkë. Ja pra, në atë fshat kanë marrë vendim të mos i festojnë festat fetare, por po ndodhte e kundërta. Një tjetër thotë: Mirë bënë që i hoqën kishat e xhamitë, po si do të bëjmë të marrim vesh se kur janë ditët e shënuara_- vazhdon raportimi. Në Shkodër, kërkuan që xhaminë ta bëjnë jo kafene, por kinema. Në Pogradec pranojnë në fakt fshatarët që xhamia të mbyllet, por u vjen keq kur shohin se do të prishet minarja. Ata thanë: Mirë u bë për xhaminë, por minarenë të mos e prishin. Në Sarandë, gratë, midis tyre dhe gra të komunistëve u zunë me sekretarin e partisë të kooperativës dhe kryetarin e lokalitetit sepse këto shkuan të hiqnin ikonat nga kisha. Në Përrenjas brenda një nate 11 persona bënë synet fëmijët, duke marrë hoxhë nga një fshat tjetër. Të gjitha këto raportime janë bërë sipas deklaruesit nga njerëz të mirë besnikë të partisë. Më tej thuhet: Kjo tregon se puna nuk është përfunduar, duke u mbyllur kisha dhe xhamia, se nuk ka klerikë dhe se u mor vendimi kundër besimeve fetare dhe zakoneve prapanike. Pra mesa kuptohet nga raportimet, duhet të intensifikohej puna, në të gjitha drejtimet. Lufta kundër fesë sapo kishte filluar.

Drejtoria I, Ministria e Punëve të Brendshme
Gjatë analizës vjetore të Drejtorisë së Parë të Ministrisë së Punëve të Brendshme më 4 maj 1967 thuhej ndërmjet të tjerave se raporti përshkohet prej fillimit deri në fund nga fryma e kongresit të V-të të Partisë, nga vendimet e Komitetit Qendror, nga fjalimi i shokut Enver Hoxha mbajtur me 6 shkurt. Nën dritën e këtyre mësimeve analizohet gjithçka dhe nxirren edhe detyrat që u dalin përpara organeve të sigurimit të shtetit. Raporti vlerësohet shumë i dobishëm për organet e Sigurimit të Shtetit dhe për udhëheqjen e partisë në këto organe. Udhëzohej që të shtypet si material i brendshëm dhe të merret për bazë, që çdo sektor të hartojë planin e punës për kryerjen e detyrave që shtrohen. Analizat u kryen jo vetëm me pjesëmarrjen e punonjësve të drejtorisë së sigurimit, por dhe atyre të degëve të punëve të brendshme të rretheve, të sekretarëve të komiteteve të partisë në këto degë dhe të sektorëve të tjerë. Kjo analizë u realizua pas mbarimit të gjithë analizave të degëve të punëve të brendshme në rrethe dhe në ato të aparatit qendror. Vlerësohet se duke u ndjekur një praktikë e tillë grumbullohet një material i bollshëm. Raporti është përgatitur jo nga zyra, por i bazuar në konkluzionet e punës që është bërë.

Takimi i Enverit me Stalinin
Në takimin mes E. Hoxhës dhe J.V Stalinit ndërmjet të tjerave është diskutuar dhe për fenë. Sipas Stalinit, çështja e besimeve fetare duhet patur mirë parasysh, duhet të veprohet me shumë kujdes, sepse nuk mund të merren nëpër këmbë ndjenjat fetare të popullit. Po sipas tij, këto ndjenja janë të kultivuara prej shekujsh tek njerëzit. Duhet vepruar me maturi se ky qëndrim ka vlerë për kompaktësinë dhe unitetin e popullit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›