Viti i ri akademik i Kolegjit të Evropës, Rama: Frika dhe stereotipet mund të dobësojnë procesin e zgjerimit

“Shqipëria është një pikë horizonti midis asaj që Evropa është dhe asaj që ende duhet të bëhet”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij para studentëve të vitit të ri akademik 2025-2026 të Kolegjit të Evropës.
Sipas kreut të qeverisë, këtu brezat e rinj mësojnë si mendon Evropa, si debaton dhe si transformon shoqëritë.
“Ende nuk kemi kampusin e ri dhe të bukur gati për ju, por ne jemi një pikë horizonti midis asaj që Evropa është dhe asaj se si ende duhet të bëhet. Ju jeni këtu për të mësuar se si mendon Evropa, si debaton dhe si transformon ajo. Ëndrra evropiane është ende prezente dhe e paprekur nga zhurma e përditshme e botës. Evropa nuk është një vend, por një vendim; një zgjedhje dhe bashkëpunim përkundrejt përplasjes, ligji përkundrejt forcës dhe dialogu përkundrejt britmave”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se frika dhe stereotipet mund të dobësojnë procesin e zgjerimit dhe Evropën, ndërsa një Evropë e bashkuar e bënë atë më të fortë dhe të sigurt në një botë që po ndryshon me shpejtësi.
“Pak ditë më parë, Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar përmendi publikisht 700 familje shqiptare që jetojnë në strehime me paratë e tatimpaguesve britanikë në pritje të azilit. Ajo përmendi 700 familje në një vend prej 67 milionë banorësh – një pëshpërim statistikor i fryrë në një sirenë politike. E përmend jo për ta dramatizuar apo për t’u ankuar, por sepse është pikërisht ky lloj reflektimi politik nga i cili Evropa duhet të mbrohet, nëse dëshiron të mbijetojë në një botë që po ndryshon me shpejtësi.
Kur një ministër evropian zgjedh një bashkësi të vogël për të fituar pikë politike, frika flet më fort se faktet dhe stereotipet udhëtojnë më shpejt se e vërteta. Zgjerimi , që unë e shoh si ribashkim, dështon sa herë që stereotipet lulëzojnë dhe shuhet kur frika bërtet më fort se dija. Evropa dobësohet sa herë u beson narrativave të sajuara.
Nëse Shqipëria beson thellësisht te projekti evropian, është sepse ne e dimë nga çfarë të mbron Evropa. Ne ishim diktatura e fundit në Evropë dhe ndjemë të gjithë peshën mizore të izolimit. Por sot është një botë tjetër. Atëherë vota nuk ishte e ndërlidhur si tani dhe kur ne ishim të shkëputur nga gjithë organizmi evropian, ai nuk reagonte. Sot kjo është e pamundur. Ja pse, kur zgjerimi mbetet në vend, nuk shohim vetëm një vonesë politike, por një paralajmërim.
Kur një ministre vë në shënjestër një komunitet të vogël, nuk shohim një akt të vogël demagogjie, por një simptomë. Sepse një Evropë që normalizon padrejtësitë e vogla çdo ditë, një ditë do të jetë e paaftë të përballet me padrejtësitë e mëdha”, tha Rama.