Viti i ri shkollor, Veliaj: I keqardhur që u penguam në projektin tonë të drekës falas në shkolla

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka shpërndarë një mesazh në rrjetin social Facebook për fillimin e vitit të ri shkollor 2025-2026, duke iu uruar suksese të gjithë nxnëseve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Në këtë drejtim, kryebashkiaku i cili prej muajit shkurt ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ka shprehur keqardhjen për mosrealizimin e projektit për drekën falas në shkolla.
“Ky vit është posaçërisht i veçantë për mua, teksa edhe im bir shkon në klasën e parë. Edhe pse më është thyer zemra, pasi nuk mund ta shoqëroj në shkollë në ditën e parë, e di që edhe për shumë familje të tjera ka pasur sfida këtë vit. Por, kjo s’duhet të na heqë gëzimin e këtij fillimi të ri, shprese të re. Ndaj, nga zemra ju uroj sukses për vitin e ri shkollor 2025-2026.
Së dyti, një ndjesë të sinqertë. Ne kemi ndërtuar 50 shkolla të reja në Tiranë, totalisht europiane, dhe 110 kopshte e çerdhe të reja. Kjo më bën krenar për punën në bashki dhe për të gjithë ata që na kanë dhënë një dorë. Megjithatë, ndihem i keqardhur që u penguam në projektin tonë të drekës falas në shkolla – një ide që e kam dashur prej kohësh dhe që më në fund ishim gati ta implementonim”, shkruan Veliaj.
Ky i fundit e konsideron arrestimin e tij, si një ndalim arbitrar të popullit për t’u qeverisur.
“Ndalimi arbitrar i vullnetit të popullit për t’u qeverisur në bashki prodhon pasoja, ku projekti i drekës në shkolla është vetem njëri prej tyre. Megjithatë, përgjegjësia mbetet tek unë dhe do ta rikuperoj sa me shpejt që të mundem”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgim prej muajsh, i dyshuar për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Ai ka kërkuar zëvendësimin ose revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të konfirmuar më herët nga Apeli më 12 shkurt.
/rtsh.al/