E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri shkollor në Gjirokastër, bashkia me fokus në infrastrukturën fizike të objekteve arsimore

Këto pamje vijnë nga shkolla 9 vjeçare “Petro Poga” në njësinë administrative Lunxhëri. Prej disa ditësh është vendosur skuadra e punonjësve të mirëmbajtjes së drejtorisë arsimore e cila po punon në të gjitha drejtimet që 14 shtatori ta gjejë gati për vitin e ri mësimor.

“Po bëjmë një rikonstruksion të përgjithshëm të kësaj shkolle, që nga tarraca, izolimi i tarracës, deri te klasat. Edhe ambienti i jashtëm do të lyhet i gjithë. Do të vendosim brava, çezma, drita. Çfarë nevoje ka kjo shkollë, ne, në datën 14, do ta hapim, që nxënësit të bëjnë mësimin në mënyrë perfekte”, u shpreh Arben Rexha, Drejtor i Drejtorisë së Arsimit, Gjirokastër.

Sipas drejtorit të drejtorisë arsimore të bashkisë Gjirokastër Arben Rexha gjatë muajve të verës është vënë dorë në të gjitha institucionet e arsimit para universitar, ku është ndërhyrë sipas nevojave që kanë pasur në drejtim të infrastrukturës fizike.

“Kemi ndërhyrë te shkolla “Bilal Golemi”, te Kardiqi. E filluam aty, jo pa qëllim. Fillova në këto dy shkolla rurale, sepse nxënësit nuk duan të shkojnë në shkollat e qytetit. Edhe në këto fshatra ka jetë, këtu bëhet mësim dhe këtu kam mësues të shkëlqyer”, tha ai.

Për këtë vit të ri mësimor bashkia Gjirokastër ka realizuar edhe pajisjen e kuzhinave të kopshteve me elektroshtëpiake ndërsa për shkollat ka siguruar edhe vegla muzikore.

Gazetare: Y.Ponde

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›