Viti sfidues i ekonomisë shqiptare

Viti 2009 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare, në të gjitha dimensionet e saj. Në përgjigje të krizës ekonomike e financiare botërore, gjatë këtij viti, u testuan Ekuilibrat makroekonomikë të vendit
Nga Ardian Fullani*
Raporti Vjetor i Bankës së Shqipërisë konkluzionet kryesore të të cilit do të mundohem ti përmbledh në vijim të fjalës sime, është një analizë e plotë dhe transparente e zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, si dhe një pasqyrë e punës së Bankës së Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të saj ligjore dhe realizimin e angazhimeve institucionale.
Viti 2009 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare, në të gjitha dimensionet e saj. Në përgjigje të krizës ekonomike e financiare botërore, gjatë këtij viti, u testuan:
ekuilibrat makroekonomikë të vendit;
qëndrueshmëria e sistemit tonë financiar;
modelet e biznesit dhe qëndrueshmëria financiare e sektorit privat; si dhe,
kapacitetet analizuese dhe reaguese të politikave makroekonomike.
Në një plan më të gjerë, goditja që mori ekonomia jonë gjatë vitit 2009 vuri në provë fleksibilitetin e modelit të zhvillimit ekonomik të vendit dhe aftësinë e tij për tiu përgjigjur një ambienti botëror rrënjësisht të transformuar.
Kriza botërore dha një ndikim të shpejtë në aktivitetin ekonomik në vend. Ajo u shoqërua me një reduktim të hyrjeve valutore në llogarinë korente dhe kapitale, me një ulje të menjëhershme të kërkesës së jashtme dhe me një ngadalësim të kërkesës së brendshme për mallra e shërbime. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, ritmi i rritjes ekonomike shënoi një ngadalësim progresiv gjatë vitit të shkuar, por duke mbetur gjithsesi në territor pozitiv. Ecuria e bilancit të pagesave të vendit u karekterizua nga një zhbalancim i flukseve hyrëse dhe dalëse valutore.
Ky zhbalancim u reflektua në lëkundjen e raporteve të kërkesës dhe të ofertës për valutë, duke rezultuar në nënçmimin e kursit të këmbimit në përgjigje të ekuilibrave të rinj që mbizotëruan në tregun valutor.
Politika fiskale e forcoi karakterin e saj stimulues gjatë vitit 2009, duke mbështetur aktivitetin ekonomik në vend, por duke rritur njëkohësisht presionin në tregjet financiare.
Tronditja që pësoi sistemi financiar krijoi një mjedis të vështirë për transmetimin e plotë dhe në kohë të politikës monetare. Në këto kushte sfiduese, Banka e Shqipërisë arriti të përmbushë me sukses mandatin e saj ligjor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në ekonomi: inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi brenda objektivit tonë prej 3 + 1 për qind gjatë vitit 2009.
Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë arriti të krijojë kushtet e duhura monetare për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Gjithashtu, furnizimi i ekonomisë me likuiditetin e nevojshëm dhe me kosto në rënie, stabilizoi tregjet financiare dhe krijoi kushtet e duhura për mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2009.
Ecuria e sistemit financiar në vend u ndikua nga lëkundja e besimit në sistemin tonë financiar gjatë gjysmës së parë të vitit dhe nga tërheqja e një pjese të depozitave prej tij. Ky zhvillim i kombinuar me një grup tjetër faktorësh, rezultoi në një mbështetje më të vogël dhe me kosto më të lartë të ekonomisë shqiptare me kredi bankare.
Ndër faktorët e tjerë do veçonim:
rritjen e pasigurisë së agjentëve ekonomikë dhe shtrenjtimin e primeve të likuiditetit;
korrektimin e modelit të biznesit të disa segmenteve të tregut financiar;
rritjen e volatilitetit të kursit të kursit të këmbimit;
dhe reduktimin e kërkesës për kredi në gjysmën e dytë të vitit.
Lëkundja e besimit të publikut, nënvizoi rëndësinë prioritare të stabilitetit financiar në jetën ekonomike të vendit.
Në fushën e saj të përgjegjësisë, Banka e Shqipërisë ndërmori një plan të gjerë dhe të koordinuar masash, të cilat synonin ruajtjen e stabilitetit financiar në nivel sistemik dhe institucioni.
Këto masa, ndër të tjera, konsistuan në:
rishikimin e bazës rregullatore në drejtim të shtimit të kujdesit mbikëqyrës;
forcimin e inspektimeve në vend;
shtimin e analizave të bilanceve në nivel individual bankash dhe sistemi; si dhe,
rritjen e bashkëpunimit me institucione homologe vendase dhe të huaja.
Përpjekjet tona për ruajtjen e stabilitetit financiar u koordinuan edhe me autoritetet e tjera publike, ekzekutive dhe legjislative.
Vlen të përmendet përmirësimi i skemës së sigurimit të depozitave të publikut dhe rritja e shkallës së garantimit të tyre nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Këto masa rezultuan të suksesshme në kufizimin e pasojave negative dhe në rivendosjen e plotë të besimit në sistemin bankar.
Si rrjedhojë e tyre, sistemi bankar shqiptar arriti të ruajë bilance të shëndetshme dhe të jetë në gjendje të ushtrojë funksionin e tij të ndërmjetësuesit financiar dhe atë të furnizuesit të ekonomisë me instrumente pagese. Zhvillimet e tremujorit të parë të vitit 2010 konfirmojnë rikthimin e plotë të besimit të publikut mbi sistemin bankar. Aktualisht, gjendja e depozitave ka kapërcyer vlerën e tyre në fundin e muajit shtator 2008, përpara fillimit të tërheqjes së depozitave.
Në vijim të fjalës sime, dëshiroj të prek dhe të analizoj në mënyrë më të detajuar, çështjet e përmendura më sipër.
1. Politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve
Në përputhje me mandatin e saj ligjor, politika monetare e Bankës së Shqipërisë është hartuar dhe zbatuar në funksion të arritjes dhe të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve.
Gjatë vitit 2009, rreziqet kryesore ndaj stabilitetit të çmimeve kanë ardhur nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, luhatja e besimit të agjentëve ekonomikë, zhbalancimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare dhe nënçmimi i kursit të këmbimit. Pavarësisht këtyre sfidave, Banka e Shqipërisë arriti të ruajë inflacionin e çmimeve të konsumit brenda objektivit. Le të shohim më në detaje elementet e prekura më sipër.
Rritja ekonomike.
Konteksti ndërkombëtar, i cili shoqëroi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend gjatë vitit të shkuar, nuk ishte aspak i favorshëm.
Viti 2009 u karakterizua nga tkurrja e aktivitetit ekonomik botëror, si rrjedhojë e rënies ekonomike në vendet e zhvilluara dhe e ngadalësimit të ndjeshëm ekonomik në vendet në zhvillim. Rritja e ekonomisë botërore shënoi vlerën e parë negative gjatë 50 viteve të fundit.
Integrimi në rritje i ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht i sistemit të saj financiar, bëri që kriza botërore të reflektohej menjëherë në vendin tonë. Kanalet kryesore të cilat ekspozuan ekonominë shqiptare ishin:
ulja e eksporteve;
rënia e remitancave dhe e hyrjeve të tjera valutore;
rritja e pasigurisë në institucionet financiare;
dhe, në përgjigje të tyre, rishikimi i planeve të biznesit të pothuajse të gjithë agjentëve ekonomikë.
Ky ndikim mori formën e uljes së normave të rritjes dhe të lëkundjes së disa ekuilibrave makroekonomikë gjatë vitit 2009. Prodhimi i Bre