E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vitin e ardhshëm, qeveria do investojë maksimalisht në infrastrukturë”

Kryeministri inauguron fillimin e punimeve në rrugën turistike Krujë - Sarisalltik
 
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje fillimin e punimeve në aksin Krujë –  Sarisalltik. E cilësuar nga kryeministri Berisha, si një nga rrugët më të bukura turistike në vend, kjo rrugë do të përfundojë brenda 15 muajve dhe kap vlerën e 340 milionë lekëve, me një gjatësi prej 6.3 kilometrash. Sipas kryeministrit, kjo rrugë do t’i japë një gjallërim shumë të madh kësaj zone, si për pelegrinazhin, që bëhet në  teqenë e Sarisalltikut, ashtu edhe për mundësitë e mëdha turistike që jep ngjitja në majën e këtij mali.
“Kruja është një nga, ose ndoshta, epiqendra e turizmit dhe historisë së Shqipërisë. Në rrugën e Sarisalltikut, këto dimensione zgjerohen shumë më tepër”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë premtoi se qeveria do të angazhohet maksimalisht në investimet infrastrukturore, për t’i kthyer vendit rrugë moderne dhe sipas standardeve evropiane. 
Në këtë inaugurim përveç banorëve të shumtë, merrnin pjesë edhe Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike Sokol Olldashi, pushtetarë vendorë dhe deputetë të zonës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›