Nuk ka pasur automjete përgjuese në protestë, deklaratat bëhen nga destabilizimi i situatës
Alibitë e socialistëve në bulevard, reagon Policia e Tiranës
Policia e Shtetit informoi dje nuk ka pasur asnjë mjet përgjues në protestën e PS-së siç pretenduan deputetë socialistë në fjalën e tyre, të cilët shënuan edhe një akt të shëmtuar teksa urdhëruan goditjen e godinës së Kryeministrisë me vezë.
Sipas reagimit zyrtar të Policisë nuk ka asnjë pajisje përgjuese për kontrollin e telefonave dhe as që nuk mund të hidhen dyshime në lidhje me një fakt të tillë, porsa kohë janë organet e rendit ato që po garantojnë mbarëvajtjen e protestave. “Nuk ka asnjë pajisje përgjuese për të monitoruar tubimin. Policia ka marrë çdo masë për zhvillimin normal të tubimit”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit. Më herët deputeti Fatmir Xhafa më pas edhe Erjon Braçe thanë se një afërsi të kryeministrisë ndodhej një makinë që përgjonte telefonat e deputetëve.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, deklaroi se Policia e Shtetit, nuk ka vendosur automjete, apo pajisje përgjuese, për monitorimin apo kontrollimin e kësaj proteste.
“Vendosja e pajisjeve të tilla nuk është në procedurat standarde të Policisë së Shtetit, për monitorimin e tubimeve apo manifestimeve. Në zbatim të ligjit, Policia e Shtetit, ka marrë të gjitha masat për garantimin e zhvillimin normal të këtij tubimi. Deklarata të tilla, nuk i shërbejnë zhvillimit normal të aktivitetit, sigurimit të rendit dhe sigurisë publike, por bëhen shkak për destabilizimin e situatës”, përfundon deklarata e Policisë së Shtetit.