Vivaldi në oborrin shkodran/Ansambli “Harmonia Albanica” interpretoi kryeveprën “Katër Stinët”

Muzika e Antonio Vivaldit solli një mbrëmje të veçantë në oborrin e Qendrës Rinore “Arka”, ku u interpretua vepra e njohur “Katër Stinët”.
Koncerti i Ansamblit të Harqeve “Harmonia Albanica” tërhoqi një pjesëmarrje të lartë të publikut, që ndoqi nga afër interpretimet e muzikantëve. Protagonistët e kësaj mbrëmje muzikore shprehen për vlerën artistike të koncertit dhe rëndësinë e aktiviteteve të tilla në Shkodër.
“Këtë vit është planifikuar të interpretohet një nga kryeveprat e letërsisë klasike botërore, “Katër Stinët” e Vivaldit, e ndërthurur me një koment mbi sonetet që e frymëzuan autorin për të krijuar këtë vepër kaq të njohur dhe prestigjioze në repertorin e muzikës klasike botërore”, u shpreh Dritan Mlika, Udhëheqës artistik.
“Shumë mirë, sepse, të them të vërtetën, publiku i Shkodrës është një publik shumë i dashur dhe një treg shumë i bukur për artistët. Prandaj vendosëm ta sjellim këtë mbrëmje këtu. Në fakt, e ofruam këtë koncert sepse ai shërben edhe si përgatitje për koncertin që do të kemi nesër në mbrëmje në qytetin e Tuzit, në Mal të Zi”, tha Lorenc Radovani, Mjeshtër i violinës.
Mbrëmja ndërthuri muzikën klasike me atmosferën karakteristike të oborrit shkodran, duke i dhënë publikut një përjetim të veçantë kulturor.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/