E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Berisha: Masa të shpejta për të plotësuar kushtet

Në një kohë që liberalizimi i vizave ka hyrë në rrugën e duhur, qeveria shqiptare i druhet ikjeve masive të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së, ashtu sikurse ndodhi në Maqedoni.

Për këtë arsye, kreu i qeverisë u shpreh se kërkesa për azil politik pas vizave është plotësisht e gabuar, ndaj ka bërë apel që qytetarët të tregohen të kujdesshëm në këtë drejtim.

“Një çështje themelore që duhet të marrë përgjigjen më të mirë nga ne është problemi i të rikthyerve. Kjo çështje duhet ta pranojmë ka një specifikë shqiptare. Qytetarë shqiptarë nga Maqedonia dhe Serbia kërkuan azil politik, gjë që ishte e gabuar”, u shpreh Berisha, duke kërkuar nga autoritetet që të bëhen studime serioze në këtë drejtim.

Më tej, ai u shpreh se qeveria do të japë fonde të veçanta dhe nëse do të jetë e nevojshme dhe nëse do të ketë probleme, këto fonde do të shtohen.

“Ramë dakord që Ministria e Brendshme dhe ajo e çështjeve Sociale të ngrenë agjenci të përbashkët dhe kjo është arsyeja që e thirrëm këtë mbledhje. Problemi i dytë është lëvrimi nga Ministria e Financave të të gjitha fondeve të miratuara nga qeveria për Ministrinë e Brendshme. Kështu që kjo do të ndodh deri nesër”, u shpreh gjithashtu kryeministri.

Berisha ka kërkuar sensibilizimin e qytetarëve shqiptarë se çfarë do të thotë liberalizim i vizave dhe mbi të drejtat që mund të kenë ata për të udhëtuar në zonën Shengen. Për këtë, ai tha se një rrugë është gjetur duke përdorur spote televizive, për t’iu treguar qytetarëve se nuk mund të qëndrojnë në BE më shumë se 90 ditë.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha tha se në korrik do të vijnë të tjerë ekspertë për të verifikuar në terren realizimin e tre kushteve të tjera të paraqitura ndaj qeverisë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›