Vizat, Lohan e Montobio:Ju mbështesim

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ambasadorin e Spanjës në Tiranë zotin Emanuel Montobio dhe Kryetarin e Misionit të BE-së në Tiranë, Ambasadorin Lohan të cilët e informuan Kryeministrin për prioritetet e Presidencës spanjolle të BE-së për gjashtë muajt në vijim. Ambasadorët Montobio e Lohan i shprehën Kryeministrit Berisha angazhimin dhe vendosmërinë e plotë të BE-së dhe presidencës spanjolle për të mbështetur plotësisht përpjekjet e qeverisë shqiptare për ecjen përpara në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë ne BE dhe proceset e tjera te lidhur me të si ai i heqjes se vizave për qytetarët shqiptarë.
Kryeministri Berisha vlerësoi se presidenca spanjolle e BE-së vjen në një moment historik dhe se ka privilegjin të ofrojë kontributin në implementimin e Traktatit të Lisbonës, si presidenca e parë, pas hyrjes së tij ne fuqi. Kryeministri e cilesoi Traktatin e Lisbonës si një ndër ngjarjet më të shënuara në historinë e BE-së, që pas traktateve të Romës dhe shprehu vlerësimin për risitë që ai sjell, në veçanti për sa i përket zgjerimit dhe axhendës së integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadorët e informuan kryeministrin Berisha për prioritetet e presidencës spanjolle, siç janë fillimi i vënies në jetë të Traktatit të Lisbonës dhe risive që ai sjell në strukturën, institucionet dhe të drejtën europiane, dalja nga situata e shkaktuar si pasoje e krizës financiare botërore por dhe vazhdimin e punës me axhendën europiane për zgjerimin e BE dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor si një prioritet kyc.
Bashkimi Europian dhe presidenca spanjolle e radhës mbështesin plotësisht perspektivën europiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të përkrahin atë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për të ecur përpara me hapat e mëtejshëm në këtë drejtim duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare edhe në këtë fazë të përgatitjes së përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian, si edhe në projektin tjetër për liberalizimin e vizave.