E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e Platini, a do takohet Berisha me Dukën?

Altin Latifi 

Vizita e presidentit të UEFA-s Mishel Platini më 11 nëntor pritet të konfirmojë edhe zyrtarisht nëse konflikti mes shtetit shqiptar dhe Federatës së Futbollit ka marrë fund. Në fakt, kreu i futbollit europian kërkon të ketë edhe një takim me Kryeministrin e vendit Sali Berisha, gjë që do të largonte përfundimisht ngërçin e krijuar në muajin mars dhe që çoi në pezullimin e Shqipërisë nga arena ndërkombëtare. FSHF ka njoftuar dje Ministrinë e Sporteve për të kërkuar takimin me Pangon, por edhe me Kryeministrin e vendit, parë që vizita e presidentit të UEFA-s nuk ndodh shpesh në një vend si Shqipëria. "Takimi me presidentin Topi është i konfirmuar, për takimet e tjera jemi në pritje të përgjigjes që do të në japë Ministria e linjës", tha shefi i zyrës së shtypit në FSHF, Tritan Kokona. Ndërkohë, i kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare", presidenti i Federatës Armand Duka tha se gjithçka është në dorë të Kryeministrit dhe stafit të tij për takimin me Platini. "Ne kemi njoftuar sot (dje) Ministrinë, në lidhje më vizitën e Platini dhe një takim të mundshëm me kreun e qeverisë. Ende nuk kemi një përgjigje, pasi është shpejt, por ata do të vlerësojnë nëse kanë kohë apo nëse kanë ndonjë punë tjetër atë ditë", tha Duka për "GSH".
Takimi
Kreu i UEFA-s Mishel Platini do të mbërrijë në Shqipëri më 11 nëntor dhe një ditë më pas do të jetë në Asamblenë Vjetore të Federatës. E ndërsa takimi me Presidentin Bamir Topi është konfirmuar, duke qenë se ky i fundit mbetet një mik i madh i futbollit, mbetet ende një dilemë nëse Platini do të takojë apo jo Kryeministrin Berisha. Kjo, pasi në takim duhet të jetë patjetër presidenti i FSHF-së Duka, duke qenë se ai e ka ftuar francezin në Tiranë. Por, duke parë akuzat e pafundme të lëshuara nga kreu i qeverisë në vite në adresë të tij, gjithçka mbetet një enigmë. "Nuk mund të them asgjë për momentin, pasi ende nuk na ka ardhur ftesa zyrtarisht. Veç kësaj, ende nuk jemi në dijeni të vizitës së z.Platini, në mënyrë që të bëjmë planifikime", tha drejtori i marëdhënieve me publikun në Këshillin e Ministrave, Grid Rroji. Në të shkuarën, Mishel Platini është takuar me paraardhësin e Berishës, Fatos Nanon, ndonëse atëherë nuk ishte zgjedhur ende president i UEFA-s. PO kështu, Kryeministri aktual nuk shquhet për ndonjë pasion të madh për futbollin, teksa shkoi për herë të parë në stadium pas 14 vjetësh më 14 tetor, kur në Tiranë erdhi skuadra e Milanit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›