Vizita e Stefanoviçit në Kosovë, analistët e cilësojnë si provokim

Kryenegociatori serb në bisedimet e drejtpërdrejta midis Kosovës dhe Serbisë, Borko Stefanoviç, pritet të vizitojë Prishtinën para raundit të katërt të bisedimeve, që do të mbahet nga mesi i muajt në Bruksel. Mirëpo, analistë në Prishtinë vizitën e Stafanoviçit e vlerësojnë më shumë si një provokim që ka për qëllim sfidimin e institucioneve shtetërore të vendit, se sa për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ylli Hoxha, drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, e sheh këtë vizitë si një tentativë për të provokuar situatën, pavarësisht faktit se Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme për t`i dhënë leje Stefanoviçit që të qëndrojë për vizitë zyrtare në Prishtinë.
“Vizita e tij është krejtësisht e panatyrshme dhe ardhja e Stefanoviçit në Kosovë ka për qëllim sfidimin e institucioneve shtetërore të vendit dhe të pranisë ndërkombëtare, se sa që do t`i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Hoxha.
Në anën tjetër, ai ka kritikuar qeverinë e vendit, e cila sipas tij, nuk po arrin që të vendosë një standard të sjelljeve të këtyre fenomeneve të vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë.
Ndërkaq, zyrtarë të subjekteve politike opozitare thonë se nuk janë në pozitë për të ndaluar dikë që të vizitojë Kosovën, por janë kundër vizitave që keqpërdorin politikanët serbë gjatë vizitave të tyre në Prishtinë. Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se “ne si LDK nuk jemi në pozitë as të ndalojmë as ta lejojmë dikë të vijë në Kosovë, por njerëzit që e keqpërdorin eventualisht vizitën, atyre duhet t`u ndalohet vizita në Kosovë.
Stefanoviç nuk ka qenë korrekt asnjëherë në deklarimet e tij, prandaj edhe në këtë drejtim nuk ka ndërruar retorikën e tij, pavarësisht faktit se ai duhet ta kuptojë që po vjen në një shtet të pavarur, siç është Kosova”, ka thënë Beqiri.
Pavarësisht kësaj, zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, edhe një herë konfirmoi të enjten se institucionet e Kosovës do t`i japin leje Stefanoviçit për një vizitë zyrtare në Kosovë, por me kusht që ai të përmbahet nga përdorimi i fjalorit nxitës politik.
“Ne jemi të gatshëm ta takojmë dhe të diskutojmë për raportet ndërshtetërore, dhe jam i bindur që edhe ai do të jetë i kujdesshëm me fjalorin e tij”, tha Kuçi.
Ndërkaq, kryenegociatorja kosovarë në dialogun Prishtinë –Beograd, Edita Tahiri, thotë se nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për vizitë të mundshme të Stefanoviçit.
“Personalisht i kam rekomanduar Stefanoviçit në Bruksel kur ka shprehur dëshirën për vizitë, që vizitat e tilla kanë një kuptim më të qëndrueshëm nëse do të arrihej ndonjë marrëveshje për ndonjë çështje të caktuar në bisedimet Prishtinë-Beograd dhe për këtë vizita do të ishte më me peshë”, ka thënë Tahiri.
Udhëheqja e delegacionit të Kosovës ka rikujtuar se në raundin e katërt të bisedimeve që pritet të mbahet nga mesi i muajt në Bruksel do të shtrohet çështja e të pagjeturve, ajo e trashëgimisë kulturore të Kosovës në kontekstin e marrjes së eksponateve arkeologjike dhe etnologjike nga Kosova në periudhën e luftës.
Gjithashtu, ajo theksoi se do të shtrohet edhe çështja e diplomave shkollore dhe universitare si dhe do të vazhdohet me tema që kanë qenë në tavolinë edhe në raundet e kaluara. Tahiri është optimiste se në takimin e ardhshëm do të ketë përparime substanciale, që sipas saj, mund të ndërtohet një kornizë që mund të çojë drejt marrëveshjeve mes palëve.
Borko Stefanoviç ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë para raundit të katërt të bisedimeve. Ai ka deklaruar për mediat serbe se ka ndërmend të vizitojë Prishtinën për t`u takuar me ndonjërin nga "bashkëbiseduesit shqiptarë të Brukselit". Mirëpo, Policia e Kosovës ende nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për vizitën e Stefanoviçit në Prishtinë.