Kosovë, vetëm një ministri për AKR-në

Kanë kaluar gati tre muaj që nga konstituimi i Qeverisë së Kosovës, ndërsa kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ende nuk e ka finalizuar listën me emrat e zëvendësministrave të ardhshëm.
Shefi i qeverisë duket se ka “suficit” të anëtarëve të partisë së tij, të cilët pretendojnë të zënë pozita të larta në ekzekutiv, gjë që po i pamundëson atij t`i emërojë anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar.
Burime të “Zërit”, të afërta me Qeverinë e Kosovës, kanë thënë se emërimi i zëvendësministrave është shndërruar në kokëçarje për kryeministrin, i cili, sipas këtij burimi, ka presion të madh nga partia për të emëruar persona të ndryshëm, ndërsa numri i posteve është i kufizuar.
“Gjithçka është bllokuar në Partinë Demokratike të Kosovës, se aty nuk po arrijnë një marrëveshje pasi ka shumë persona që duan të bëhen zëvendësministra. Aleanca për Kosovë të Re (AKR) i ka dërguar që herët Thaçit emrat për zëvendësministra, por ata kanë rënë kurban i problemeve në PDK”, thotë ky burim.
Përveç zëvendësministrave, çështje e pazgjidhur në Qeverinë e Kosovës vazhdon të mbesë edhe emërimi i dy anëtarëve të AKR-së në dy pozita ministrore, çështje kjo për të cilën janë marrë vesh partnerët e koalicionit, PDK-AKR, pas largimit të Behgjet Pacollit nga pozita e të parit të vendit.
Por, sipas burimeve të “Zërit”, AKR-ja nuk do të marrë dy ministri, siç kanë rënë dakort partnerët e koalicionit.