Vizita e parë shtetërore në SHBA që nga viti 2007: Mbreti Charles III pritet në Shtëpinë e Bardhë nga Trump

UASHINGTON, 27 prill /ATSH/- Vizita e sotme e mbretit Charles III shënon vizitën e parë shtetërore të një monarku britanik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që nga udhëtimi i mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2007, sipas BBC.
Në gjashtë ditët e vizitës historike, mbretëresha e ndjerë, u shoqërua nga princi Philip, dhe u takua me presidentin e atëhershëm amerikan, George W. Bush.
Mbretëresha Elizabeth u nderua me një përshëndetje me 21 të shtëna dhe mori pjesë në një banket shtetëror, si dhe vizitoi një anije që transportoi kolonët e parë anglezë drejt Amerikës në vitin 1606.
Në një fjalim gjatë banketit, mbretëresha Elizabeth vlerësoi marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, ndërsa vizita e saj përkoi me 400-vjetorin e vendbanimit të parë të përhershëm anglez.
Ndërkohë, mbreti Charles III dhe mbretëresha Camilla kanë mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ku u pritën nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump.
Pamjet e fundit treguan mbretin dhe mbretëreshën të ulur në tryezë ku do të shërbehej çaj – së bashku me presidentin amerikan dhe bashkëshorten e tij në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.
Në tryezë përfshiheshin sanduiçe të vogla, ëmbëlsira dhe mjaltë, ndërsa çaji shërbehej nga stafi.
Vizita katërditore shtetërore e çiftit mbretëror britanik, ka nisur zyrtarisht dhe konsiderohet një nga sfidat më të mëdha diplomatike të mbretërimit të mbretit Charles III, me pritshmëri të larta për forcimin e marrëdhënieve transatlantike.
Sipas Pallatit Mbretëror, programi do të vijojë kryesisht sipas planit, ndërsa janë zhvilluar edhe bisedime shtesë për sigurinë pas një incidenti të fundit, ku një person i armatosur arriti të depërtojë në një aktivitet ku ishte i pranishëm presidenti amerikan, Donald Trump. //a.i/