Pa praninë e opozitës, Kuvendi voton për president të Kosovës

PRISHTINË, 27 prill/ATSH/ Në Kuvendin e Kosovës u mbajt raundi i parë i votimit për President, ndonëse në sallë nuk janë të pranishëm dy të tretat e deputetëve.
Në mesin e dy kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti mori 63 vota ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.
Në sallë të pranishëm janë 64 deputetë ndërsa opozita e ka bojkotuar seancën.
Pasi përfundoi rundi i parë i votimit për presidentin – pa praninë e partive opozitare – kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se seanca do të vazhdojë të martën, në orën 10:00.
Kuvendi i Kosovës nisi natën e së hënës seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit. Në seancën munguan deputetë të opozitës, të cilët bojkotuan edhe një seancë të mëhershme diskutimi për çështjen.
Partia e kryeministrit Albin Kurti ka propozuar dy kandidate të reja për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin kreun e ri të shtetit. Në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh. /rel/