E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vizitë e kryepriftërinjve të Kishës Ortodokse Shqiptare në spitalin ku kurohet kryepeshkopi Anastas

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ndau lajmin se Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani dhe i Amantias, Hirësi Nathanaili, kryen sot një vizitë në Spitalin “Evangjelizmos”, ku prej datës 3 janar gjendet i shtruar në gjendje kritike, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastas Janullatos.

Hirësitë e tyre u takuan me drejtoreshën e Njësisë së Terapisë Intensive të spitalit, për të shprehur interesimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës për ecurinë e Fortlumturisë, si dhe shprehën falenderim dhe mirënjohje për kujdesin e treguar ndaj tij.

Ata përcollën lutjet e besimtarëve shqiptarë ortodoksë për Kryepeshkopin Anastas, por edhe për stafin mjekësor, që vazhdon përpjekjet për rehabilitimin e shëndetit të tij, pavarësisht faktorëve rëndues.

Hirësi Joani dhe Nathanaili takuan në spital edhe Episkopin e Krujës, Hirësi Anastasin, Atë Spiridhonin dhe Atë Harallambin, të cilët shoqërojnë Kryepeshkopin, duke u shprehur atyre solidaritet shpirtëror.

Me rastin e qëndrimit në Athinë, Kryepriftërinjtë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë kryen vizitë edhe tek Kryepeshkopi i Athinës dhe i Gjithë Greqisë, Imzot Jeronimi, i cili që në ditët e para vizitoi në spital Kryepeshkopin Anastas, dhe ndjek në vazhdimësi ecurinë e shëndetit të tij.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›