E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndryshimet në Kod, PD: Emigrantët të votojnë edhe me pasaporta apo ID të vendit ku jetojnë

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend disa ndryshime shtesë për Kodin Zgjedhor që lidhen me votën e diasporës.

Në draftin e dorëzuar me firmën e 11 deputetëve të PD-së, përfshirë kryetarit Sali Berisha, kërkohet që Kodi të përcaktojë që emigrantët të votojnë edhe me një kartë identiteti apo pasaportë të vendit ku jetojnë.

“Vetëm për zgjedhjet për Kuvendin e vitit 2025 dokumente të vlefshme identifikimi me qëllim mundësimin për të votuar zgjedhësve brenda dhe jashtë vendit të konsiderohen:  pasaportë ose kartë identiteti biometrike brenda afatit të vlefshmërisë të lëshuar nga Republika e Shqipërisë; pasaportë ose kartë identiteti biometrike pavarësisht afatit të vlefshmërisë të lëshuar nga Republika e Shqipërisë; si dhe pasaportë apo kartë identiteti biometrike brenda afatit të vlefshmërisë të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, SHBA si dhe çdo vend tjetër”, thuhet në propozimet e PD-së.

PD thekson se nëse nuk merren masat e duhura në kohë për të lehtësuar regjistrimin dhe votimin e të gjithë shqiptarëve me banim jashtë vendit, rrezikohet të kemi një pjesëmarrje në votime të ulët, çka do të cenonte ndjeshëm jo vetëm besueshmërinë, por edhe legjitimitetin dhe Kushtetutshmërinë e procesit të ardhshëm zgjedhor.

Ditën e djeshme, PD dhe PS i dhanë dritën jeshile tre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe një rregullimi që do ta bëjë qeveria.

Marrëveshja e arritur mes palëve ndihmon KQZ-në, të përshpejtojë punën me votën e diasporës, ndërsa është plotësuar edhe një kërkesë të opozitës, që është numërimi i votave nga diaspora të bëhet nga komisionerë politikë.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›