Vjedh automjetin, ikën me shpejtësi dhe godet efektivin. Arrestohet 35-vjeçari italian në Tiranë

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Last Escape”, si rezultat i të cilit është arrestuar në flagrancë një shtetas italian 35-vjeçar, i dyshuar për vjedhjen e një automjeti dhe dhunë ndaj një punonjësi të Policisë.
Sipas njoftimit të Policisë, pas marrjes së sinjalizimit se në rrugën dytësore Durrës-Tiranë, pranë një subjekti, ishte vjedhur një automjet tip “Audi Q5”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, organizuan dhe zhvilluan operacionin.
Gjatë tentativës për t’u larguar, i dyshuari përplasi disa automjete dhe goditi një punonjës Policie.
Ai u kap dhe u arrestua në flagrancë. Bëhet fjalë për shtetasin italian A. E., 35 vjeç, banues në Itali.
Policia sekuestroi automjetin e vjedhur “Audi Q5”, i cili drejtohej nga i arrestuari pa leje drejtimi.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Last Escape”
Vodhi një automjet dhe, gjatë tentativës për t’u larguar, përplasi disa automjete dhe goditi një punonjës Policie, arrestohet në flagrancë 35-vjeçari italian.
Sekuestrohet automjeti i vjedhur audi Q5, që drejtohej nga 35-vjeçari, pa leje.
Pas marrjes së njoftimit se në rrugën dytësore Durrës-Tiranë, pranë një subjekti ishte vjedhur një automjet tip “Audi Q5”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last Escape”, si rezultat i të cilit u bë i mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit italian A. E., 35 vjeç, banues në Itali.
/rtsh.al/