Vjedhin banesën e kryetarit të këshillit të Qarkut, arrestohen babë e bir
TEPELENË- Dy shtetas, babë e bir kanë përfunduar në pranga, pasi kanë vjedhur shtëpinë e kryetarit të Këshillit të Qarkut. Lajmi bëhet i ditur nga policia e cila njofton se Kaso Zhola dhe i biri i tij, Zemani janë arrestuar sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë futur në banesën e shtetasit A.Ç, në lagjen "15 Shtatori" në qytetin e Tepelenës, ku kanë vjedhur shumën prej 1.5 milionë lekë të reja dhe katër aparate celular.
"Zbulimi i kësaj ngjarjeje u bë si rezultat i punës profesionale të bërë nga Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, grumbullimi i informacionit të marrë në rrugë operative, gjurmimi i të dyshuarve duke siguruar prova dhe fakte, ku më pas në bazë të këtyre provave u bë dokumentimi ligjor i kësaj vepre penale"- thonë burimet policore.
Shtetasit e mësipërm janë kapur në banesë dhe gjatë ndalimit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dy aparate celular dhe një kartë Sim e cila ishte përdorur në dy prej aparateve të vjedhur. Mbi ta rëndon akuza e "Vjedhjes kryer në bashkëpunim".