Mbërrin kallëzimi i ndaj Mediut për Gërdecin
Pak ditë pas mbylljes së hetimit gjyqësor nga Gjykata e Lartë, në Prokurorinë e Përgjithshme u depozitua një kallëzim tjetër për deputetin republikan
Familjarët e viktimave të shpëthimit i dhanë dje një tjetër shans akuzës për të marrë të pandehur ish- Ministrin e Mbrojtes
TIRANË- Trashëgimtarët ligjorë të 21 viktimave të tragjedisë së Gërdecit, të përfaqësuar nga Zamira Durda nëna e 6 vjeçarit Edison Durda, i vdekur si pasojë e shpërthimit në Gërdec, depozituan në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme kallëzimin penal ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes tashmë me detyrën e Ministrit të Mjedisit Fatmir Mediu, dhe bashkëpunëtorëve të tij.
E veshur me të zeza dhe e shoqëruar nga disa gra të tjera po me të zeza, gruaja dorëzoi paraditen e djeshme kallëzimin penal në protokollin e Prokurorisë së Përgjithshme, duke kërkuar nga kryeprokurorja Ina Rama rifillimin e hetimit ndaj deputetit Mediu. Ky kallëzim u depozitua vetëm pak javë pasi hetimi gjyqësor ndaj Mediut u pushuar nga Gjykata e Lartë.
Me të dalë nga dera e institucionit të organit qendror të akuzës, nëna e 6 vjeçarit tashmë të ndjerë Zamira Durdaj, tregoi se me anë të këtij kallëzimi penal i ka kërkuar krerëve të institucioneve shtetërore të ri hapin hetimin ndaj deputetit Mediu.
"Dorëzova kallëzimin penal ndaj Fatmir Mediut të firmosur nga familjarët e 21 viktimave të shpërthimit në Gërdec. Me anë të këtij kallëzimi penal i kërkojmë kryeprokurores Ina Rama, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryetares së Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj që të rihapin çështjen ndaj Fatmir Mediut.
Ai dhe bashkëpunëtorët e tij e shkaktuan shpërthimin e Gërdecit, që mori jetën e familjarëve tanë të dashur"- tha Zamira Durdaj para gazetarëve. Ajo shtoi se asnjë pengesë ligjore nuk e ndalon Prokurorinë të kërkojë sërish heqjen e imunitetit të Mediut.
Ky kallëzim penal i firmosur nga familjarët e 21 viktimave të shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, erdhi vetëm pak ditë pasi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pushimin e çështjes ndaj tij për shkak se përfitonte nga imuniteti i deputetit të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti.
Sipas kallëzimit penal, kopjen e së cilës e posedon "Shekulli", familjarët e 21 viktimave kanë renditur të gjithë emrat e trashëgimtarëve ligjor të viktimave, duke i kujtuar Prokurorisë së Përgjithshme me pika të veçanta implikimin e deputetit Mediu në këtë ngjarje që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve që mbetën të plagosur.
"Në i qëndrojmë dhe i bashkohemi kërkesës për gjykim të datës 13 mars 2009, që Prokuroria e Përgjithshme paraqiti para Gjykatës së Lartë, në lidhje me atribuimet e figurave të veprave penale për personat përkatës, si dhe për faktet që provojnë këto akuza.
Ju rikujtojmë se ish-Ministri i Mbrojtjes, deputeti Fatmir Mediu, ka konsumuar figurën e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës" pasi me veprimet apo mosveprimet e tij të kundraligjëshme, të kryera me dashje ka dëmtuar rëndë interesat tona, pasi ka shkaktuar vdekjen e të afërmëve tanë", përfundoi Durda.
Veprimet e paligjshme për të cilat akuzohet Mediu
Veprimet e paligjshme të tij janë kryer në përzgjedhjen e fshatit Gërdec për të kryer demontimin; urdhrin e datës 7 dhjetor 2007 me nr. 2044, "Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO"-së, ku urdhëron demontimin e municioneve me kalibër të madh, ndërkohë që në Vendimi i Këshillit të Ministrave thuhet në mënyrë përcaktuese të municioneve me kalibër të vogël.
Në mos ushtrimin e kontrollit të duhur dhe marrja e masave për shmangien e ngjarjeve të tilla, që ka sjellë përgjegjësi penale për ish-ministrin Mediu, pasi ka bashkëpunuar me personat e tjerë që tashmë janë të pandehur, duke sjellë përfitime përkatëse për vetë të pandehurit"- thuhet në kallëzimin e familjarëve të 21 viktimave që tashmë u depozitua pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
"I kërkojmë Prokurores së Përgjithshme, që ta regjistrojë këtë kallëzim në ngarkim të deputetit Fatmir Mediu, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij të cituar nga ana jonë, duke kërkuar menjëherë autorizimin për të proceduar, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke i kërkuar heqjen e imunitetit"-thuhet në kallëzimin e familjarëve