E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhja e ilaçeve, burg mjekut, arrest në shtëpi për farmacisten

Spitali Onkologjik i Tiranës

TIRANE Bashkëshortët Nikollë dhe Jetmira Koleci, mjek dhe farmaciste, të dyshuar për përfshirje në një skemë vjedhjeje të ilaçeve në Spitalin Onkologjik, nuk kanë dhënë shpjegime në gjykatë mbi prejardhjen e ilaçeve të sekuestruara në garazhin në pronësi të tyre. Të paraqitur në gjykatë për njohjen me akuzën dhe masën e sigurisë, dy bashkëshortët i kanë bërë bisht dje pyetjes së gjykatës se nga kishin ardhur ato ilaçe.
Dy bashkëshortët, njëri mjek në një klinikë private dhe tjetra farmaciste në Spitalin Onkologjik, u prangosën pak ditë më parë në Tiranë, pas dyshimeve se kishin nxjerrë ilaçe nga farmacia e spitalit dhe i kishin shpërndarë në farmaci të ndryshme në kryeqytet. Gjykata kryeqytetit caktoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj të dyshuarit Nikollë Koleci, për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim. Për të njëjtën akuzë, bashkëshortja e tij, Jetmira Koleci, u la në masën e sigurisë arrest shtëpie, referuar faktit që kishte dy fëmijë të mitur. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se para togave të zeza, i dyshuari Nikollë Koleci ka pranuar të ketë ilaçe në shtëpi, por ka mohuar të ketë bashkëpunuar në ndonjë skemë vjedhjeje me bashkëshorten e tij. Pranoj që kam pasur ilaçe në shtëpi, por nuk kam bashkëpunuar me bashkëshorten time për ndonjë gjë, mësohet të jetë shprehur ai para gjykatës. Bashkëshortja e tij, ish-farmacistja e Spitalit Onkologjik, ka mohuar të ketë nxjerrë ilaçe nga farmacia e spitalit. Nuk kam nxjerrë kurrë ilaçe nga farmacia, është shprehur e dyshuara. Po dje, gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Andronaq Zilin, i arrestuar në të njëjtin operacion policor që prangosi çiftin Koleci. Ata ranë në pranga javën e kaluar, pas një hetimi disamujor nga ana e policisë së Tiranës. Kjo e fundit filloi procesin penal për shkak të informacioneve të marra në lidhje me shitjen e paligjshme të ilaçeve që ishin destinuar për tu dhënë falas në Spitalin Onkologjik. Sipas hetimeve në fjalë, farmacistja e QSUT-së, shtetasja Jetmira Koleci, në bashkëpunim me të shoqin, mjek, kanë vjedhur ilaçet nga Spitali Onkologjik dhe pasi i depozitonin në një ambient te pallati i tyre, i shpërndanin ato në farmaci private, ku shiteshin me çmime 18-20 mijë lekë të reja medikamenti.                                 ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›