Sot ishte gjyqi: Ekzekutohet me pesë plumba Arjan Selimi

Arjan Selimi dhe Inis Gjoni gjatë një feste
Pritë kapos së Kompas te pallati. Policia: U filmua
Pesë plumba, katër nga të cilët në gjoks, i kanë marrë jetën mbrëmë Arjan Selimit, personazh i njohur në Tiranë, pas arrestimit nga operacioni antidrogë Kompas, por edhe nga lidhja me artisten Inis Gjoni. Partneri i regjisores u ekzekutua mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:15, në rrugën Stavri Themeli, tek ish-Parku i Autobusëve në kryeqytet. Ai ndodhej pranë makinës së tij tip Land Rover, në oborrin e pallatit ku banonte kur u qëllua me armë zjarri nga të paktën dy persona. Burime nga grupi hetimor thanë se dy persona që kanë lëvizur me motor kanë qëlluar të paktën 20 herë me automatik në drejtim të Arjan Selimit, 38 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend, me 4 plumba në qafë e kokë dhe një plumb tjetër në këmbë. Ndërkohë, 19-vjeçari Klevis K., kalimtar i rastësishëm në vendin e ngjarjes, ka mbetur i plagosur me dy plumba, në bark e këmbë, teksa po kalonte në sheshin para pallatit ku banon Arjan Selimi. Të njëjtat burime konfirmuan se atentati ka qenë i mirorganizuar dhe një person i tretë ka futur në kurth 38-vjeçarin e njohur edhe me emrin Armando Andoni. Ky person i tretë e ka çuar viktimën në pritën që i kishin ngritur autorët me motor e me skafandra në kokë. Ngjarja ndodhi në një rrugicë të errët para pallatit ku Arjan Selimi banon prej më se një viti bashkë me partneren e tij, Inis Gjoni, e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ngjarja është regjistruar pjesërisht nga disa kamera sigurie të një prej vilave private që ndodhen pranë vendngjarjes.
Forcat e policisë së Komisariatit Nr. 2 kanë shoqëruar gjatë mbrëmjes 11 persona si dëshmitarë, një prej të cilëve konsiderohet paraprakisht edhe i dyshuar. Ndërsa hetimet e oficerëve të seksionit kundër jetës dhe shëndetit janë përqendruar rreth të kaluarës së biznesmenit me origjinë nga Shkodra, pasi ai ishte një prej tetë të arrestuarve të operacionit të koduar Kompas, i zhvilluar më 23 qershor të vitit 2004 në Shqipëri, SHBA, Itali dhe Kosovë. Aktualisht Arjan Selimi vazhdonte të ishte në arrest shtëpie, por për shkak të shtatzënisë së partneres së tij, ishte lejuar që të kryente disa lëvizje.
ATENTATI

Kufoma e Arjan Selimit mbrëmë në vendngjarje
Rreth orës 19:15, Arjan Selimi ka qenë duke dalë nga apartamenti i tij, në katin e dytë të një pallati 8-katësh, për të bërë xhiron e tij të zakonshme në lagje, pasi, sipas banorëve, ai nuk para lëvizte jashtë zonës së ish-Parkut të Autobusëve. Por, me sa duket, autorët e dyshuar të ngjarjes kishin ndjekur më parë çdo lëvizje të tij dhe në këtë mënyrë i kishin ngritur pritë para makinës së tij, tip Land Rover, të parkuar në anë të pallatit. Sipas të dhënave hetimore, në momentin kur ai ka zbritur në sheshin e pallatit dhe është drejtuar për te makina e tij, ka parë një person të dyshimtë, të cilin e ka ndjekur për të kuptuar se kush ishte. Por ka qenë pikërisht ky person që e ka çuar Selimin drejt autorëve që po e prisnin mbi një motor në një rrugicë të errët të zonës. Më pas, personi i dyshimtë ka humbur në errësirë, ndërsa autorët kanë qëlluar rreth 20 herë me automatik në drejtim të Selimit. Trupi i pajetë i Selimit u gjet pranë automjetit të tij, poshtë një pallati 8-katësh, ndërsa dëshmitarë pohuan se janë dëgjuar disa të shtëna arme me breshëri. Mësohet se në momentin kur është qëlluar, viktima po tentonte të hipte në makinë, por pa arritur ta hapte atë. Në vendngjarje janë gjetur dhjetëra gëzhoja, që dyshohet se i përkasin një arme automatike. Nga plumbat e atentatorëve të Selimit është plagosur edhe një banor i zonës, i cili ka qenë duke lëvizur në sheshin para pallatit. I plagosuri tashmë është një prej dëshmitarëve kryesorë të grupit hetimor, pasi mund të japë ndonjë të dhënë të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes.
Arjan Selimi ndërroi jetë menjëherë nga 5 plumba
Transportimi me autoambulancë për ti dhënë ndihmën e parë mjekësore Arjan Selimit ka qenë i kotë, pasi 38-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga goditja me pesë plumba. Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe matjet e nevojshme përreth një orë, duke e mbajtur kufomën në vendin ku u qëllua. Më pas trupi i pajetë i Arjan Selimit është transportuar drejt Morgut të Tiranës. Sipas ekspertëve, 38-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga 5 plumba në trup. Atentatorët kanë qëlluar rreth 20 herë në drejtim të tij, por katër plumba e kanë goditur në qafë dhe kokë, ndërsa plumbi i fundit në këmbë. Disa nga plumbat kanë goditur edhe makinën tip Land Rover të Selimit, pasi sipas të dhënave ai mund të ketë parë atentatorët dhe ka tentuar të hipë në makinë, por pa arritur ta hapte mjetin.
Selimi sot kishte gjyqin për drogën
Arjan Selimi, viktima e mbrëmshme e një atentati mafioz pranë zonës së ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, kishte sot seancën e tij të radhës në Gjykatën për Krimet e Rënda. Në këtë proces, Arjan Selimi (Armand Andoni), ishte i bashkëpandehur me Arjan Xhemalin (Shabanin). Për seancën e sotme, e caktuar për në orën 13:00, e dyzeta në radhë, ishin njoftuar për tu thirrur dëshmitarët e parë. Selimi dhe Xhemali po rigjykoheshin për akuzën e trafikut të narkotikeve. Gjykimi i dosjes ndaj tyre te Krimet e Rënda zhvillohet në një proces normal. Me një vendim të ndërmjetëm në prill të këtij viti, gjykata rrëzoi kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar. Kjo dosje mbërriti te Krimet e Rënda në fund të korrikut të vitit 2010. Ajo u regjistrua për rigjykim në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë. Një kolegj penal i Gjykatës së Lartë vendosi në maj të vitit 2010 rigjykim e dy prej të pandehurve të dosjes Kompas. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, gjatë shqyrtimit të dosjes në shkallët më të ulëta të Gjyqësorit ishin konstatuar shkelje të shumta procedurale. Ndërkohë që për të bashkëpandehurit e tjerë të tyre u la në fuqi vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Sipas Gjykatës për Krimet e Rënda, të pandehurit e dosjes Kompas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin trafikuar drejt Italisë në vitet 1998-2002 sasi të shumta lëndësh narkotike. ar.ba
Inis Gjoni sheh ngjarjen, Ingridi anulon koncertin
Kufoma e Arjan Selimit ka mbetur aty ku ndodhi atentati për më tepër se një orë. Policia dhe hetuesit, pasi kanë konfirmuar se 38-vjeçari kishte humbur shanset për jetë, e kanë lënë kufomën në tokë dhe kanë nisur fotografimet dhe fiksimin e provave materiale. Gjatë gjithë kësaj kohe, Inis Gjoni, shtatzënë 6 muajshe, me një fëmijë me Arjan Selimin, ka qenë në katin e dytë të pallatit pranë të cilit ndodhi ngjarja. Rreth 90 minuta pas atentatit, të afërmit e saj kanë mbërritur aty dhe e kanë marrë me vete Inis Gjonin për në banesën e tyre. Ngjarja, me sa duket, ka qenë shokuese për të gjithë. Dje në mbrëmje gazeta tentoi të kontaktonte me motrën e Inisit, Ingridin, por ajo nuk kishte koment për ngjarjen nga e cila kishte mbetur e shokuar. Ingrid Gjoni tha se kishte ndërprerë një koncert dhe po kthehej urgjentisht në shtëpi pas ngjarjes së ndodhur, e cila kishte qenë diçka shokuese dhe e papritur për të gjithë. Në muajin gusht të këtij viti, Arjan Selimi u fiksua nga paparacët së bashku me Inis Gjonin në plazhe