E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja në gjykatë, KLD ndërron kreun e Krimeve të Rënda

Skandali i vjedhjes së materialeve nga zyra e provave në Gjykatën për Krimet e Rëndë i publikuar nga Shekulli është diskutuar gjerësisht në mbledhjen e djeshme të KLD-së. Edhe pse nuk ishte përfshirë në rendin e ditës, çështja është vendosur si prioritare dhe ka sjellë një rokadë në krye të gjykatës. Në fund të mbledhjes është vendosur largimi i gjyqtares Etleva Deda nga posti i kryetares së komanduar dhe rikthimi i Sandër Simonit në këtë post.

Këshilli trajtoi jashtë rendit të ditës dhe problemin e drejtimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur javën e kaluar, lidhur me humbjen e disa provave materiale, si dhe kalimit të afatit tre mujor të komandimit në këtë detyrë,- thanë burimet zyrtare të KLD-së. Ministri i Drejtësisë Halimi kishte planifikuar nisjen e një procedimi disiplinor ndaj saj, por për shkak se ajo ishte kryetare e komanduar, u vendos që kjo gjë të mos kryhet. Pas diskutimeve është vendosur që vendimi për komandimin e Dedës në krye të gjykatës të anulohej dhe në vend të saj të delegohet gjyqtari Sandër Simoni.

Pas mbledhjes, ministri i Drejtësisë publikoi masat e marra nga ministria në lidhje me këtë rast. Ministria i Drejtësisë pas inspektimit të datës 8.11.2011 të ngjarjes së ndodhur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në datën 7.11.2011, ku u konstatua mangësi të provave materiale përfundoi raportin e inspektimit, evidentoi shkeljet e ligjit dhe zhvilloi seancën dëgjimore me kryetaren e komanduar të Gjykatës së Krimeve të Rënda znj. Etleva Deda dhe me kancelarin z. Rozario Rica. Në përfundim të këtyre procedurave u vendos shkarkimi i kancelarit,- thanë burimet zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Në lidhje me kryetaren e komanduar znj. Etleva Deda, ministri i Drejtësisë nuk aplikoi fillimin e procedimit disiplinor për shkak të statusit të saj në detyrë si e deleguar dhe jo si kryetare e emëruar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›