Reforma, Ministria e Mbrotjes përgatit lirimin e 800 ushtarakëve
Ministria e Mbrojtjes po përgatitet të bëjë shkurtime drastike në organikën e saj gjatë vitit të ardhshëm. Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi deklaroi dje para Komisionit të Ligjeve në Kuvend se nga reforma që po përgatit Ministria e Mbrojtjes do të preken rreth 800 punonjës të kësaj ministrie. Edhe pse motivacioni nga zyrtarët e saj ministrie thuhet se është reformimi, shkaku i vërtetë duket të jetë shkurtimi i përgjithshëm i shpenzimeve që ka ndërmarrë qeveria. E pyetur nga ish ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, drejtoresha Dhëmbi deklaroi se si pasojë e shkurtimit, numri punonjësve do të jetë më i ulët se ai i një viti më parë. Numri i punonjësve mund të jetë 700 deri 800 më pak sepse është parashikuar një reduktim në Ministrinë e Mbrojtjes, me kërkesë të tyre si rezultat i një reforme që ata po bëjnë, -theksoi Dhëmbi.
Qeveria i ka ndarë Ministrisë së Mbrojtjes rreth 19.9 miliardë lekë për vitin e ardhshëm. Nga këto, rreth 8 miliardë lekë janë parashikuar për forcat e luftimit, 4.5 miliardë lekë janë shpenzime të parashikuar për mbështetjen sociale të ushtarakëve dhe 4 miliardë lekë janë ndarë për zërin mbështetja e luftimit.
Socialistët kundërshtuan gjithashtu projektbuxhetin për fondet e akorduara njësive vendore. Deputeti Bashkim Fino deklaroi se bashkitë të cilat drejtohen nga të majtët po diskriminohen duke mos iu dhënë fonde nga buxheti i kushtëzuar. Nenin 15 i buxhetit të shtetit është totalisht në kundërshtim me ligjin, me kushtetutën. Është një ligj që miratohet me 71 vota , pra nga mazhoranca, ndërkohë që ligji nr.8652 është një ligj i miratuar me 3/5 dhe ska të drejtë asnjë ligj tjetër, pra edhe buxheti i shtetit që nëpërmjet nenit 15 ti hiqet e drejta pushtetit vendor. Pra ajo e drejtë që jepet me fondet e pakushtëzuara , dhe quhet e pakushtëzuar se i jep pushtetit vendor për ti përdorur. Ndërkohë neni 15 i pushtetit i vendos disa kritere që ja kushtëzon dhe i thotë, një bashki dhe një komunë që ka mbi 20 mijë banorë, do përdorë aq për qind për administratën, -u shpreh Fino. Një nga ekspertët e PS për qeverisjen vendore, Fino deklaroi se buxheti tregon krizën që ka përfshirë shtetin. Të ardhurat e pushtetit vendor për vitin që vjen do të jenë shumë të ulëta. Fondet që kanë qarqet ku do shpiheshin fondet konkurruese, nuk përfiton asnjë njësi që drejtohet nga opozita. Mbas 5 majit qytetet më të mëdha i ka marrë opozita, nuk kanë për të marrë asnjë lek nga buxhetet konkurruese të qarqeve. Ky buxhet nuk është buxhet stabiliteti, por i falimentimit të bashkive dhe komunave për vitin 2012, theksoi ai.
“Estradë” në Komision gjatë debatit për buxhetin e 2012-s
Diskutimi i mbrëmshme në Komisionit të Ekonomisë i të ardhurave që Ministria e Financave ka parashikuar në buxhetin e vitit 2012, më shumë se një mbledhje të një komisioni të rëndësishëm të Kuvendit i ka ngjarë një kafeneje apo estrade. Më shumë se me çështjet thelbësore të buxhetit, siç janë të ardhurat, nga të cilat më pas rrjedh edhe ecuria e një ekonomie përgjatë gjithë vitit të ardhshëm, deputetet, të majtë dhe të djathtë, e harxhuan kohën me batuta ndaj njeri-tjetrit apo diskutime pa lidhje me rendin e ditës. I pranishëm në sallë ishte zv/ministri i Financave, Alfred Rushaj, të cilit iu desh jo pak kohë për tiu përgjigjur pyetjeve të drejtuara në fillim të mbledhjes, i ndërprerë nga ndërhyrjet e herë pas hershme të deputetëve në sallë.
Diskutimet e kësaj natyre, i nisi deputeti Flamur Noka, i cili ndërhyri në mënyrë të vazhdueshme pa mikrofon gjatë fjalës së deputetit Arben Ahmetaj duke theksuar se nuk i përputheshin shifrat me kolegët e tjerë. Më pas, ishte radha e Andis Harasanit për ti kthyer reston duke i kërkuar kreut të Komisionit që të mos lejohet futja e doktorëve në sallë duke pasur parasysh Nokën. Aty për aty, ky i fundit iu përgjigj se vinte në sallë me shifrat e tij dhe jo të përgatitura nga Caci dhe Çim Cani, duke nënkuptuar ish-deputetin Anastas Angjelin dhe ish-Guvernatorin Shkëlqim Cani. I gjithë ky diskutim por edhe shumë batuta të tjera u shkëmbyen kur deputetë të tjerë si Arben Malaj, Mimi Kodheli, Sherefedin Shehu, Arben Ahmetaj, Selami Xhepa, Ervin Koçi, Ilir Bejtja, etj., po diskutonin me Rushajn për të dhënat e buxhetit. Qeveria ka parashikuar të mbledhë rreth 355 miliardë lekë të ardhura gjatë vitit të shtetit, ndërkohë që do të shpenzojë rreth 397 miliardë lekë me një deficit prej rreth 42 miliardë lekë. E. Senja
