Vjena çel Eurovision 2026, Shqipëria garon më 14 maj për kualifikim në finale

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Arena “Wiener Stadthalle” në Vjenë u shndërrua në një spektakël ngjyrash dhe emocionesh me hapjen e edicionit të 70-të të Eurovision Song Contest, që mblodhi mijëra tifozë nga e gjithë Europa.
Atmosfera festive u karakterizua nga performanca dinamike, veshje shumëngjyrëshe dhe simbolika kombëtare, duke reflektuar shpirtin unik të muzikës pop evropiane. Kryeqyteti austriak, i njohur për traditën e tij muzikore që nga Wolfgang Amadeus Mozart deri te skena moderne, ofron këtë vit një sfond të veçantë për eventin.
Nën drejtimin e prezantuesve Victoria Swarovski dhe Michael Ostrowski, nata e parë solli një spektakël të nivelit të lartë, ndërsa një element i veçantë ishte “Green Room”, e konceptuar këtë vit me identitet të theksuar austriak.
Në gjysmëfinalen e parë performuan 15 shtete, ndërsa votimi është hapur vetëm për vendet pjesëmarrëse në këtë natë. Nga to, 10 do të sigurojnë kualifikimin për finalen e madhe të së shtunës.
Gjatë mbrëmjes u prezantuan edhe Italia dhe Gjermania, të cilat, si pjesë e “Big 5”, janë të kualifikuara automatikisht për në finale, por gjithashtu kanë të drejtë vote.
Rezultatet përfundimtare të gjysmëfinales së parë pritet të shpallen pas përfundimit të procesit të votimit, ndërsa gara për kurorën muzikore të vitit 2026 vijon me interes të lartë në gjithë kontinentin.
Shqipëria përfaqësohet në edicionin e 70-të të Eurovision Song Contest nga këngëtari Alis me këngën “Nan”, një krijim që sjell një mesazh të fuqishëm dhe universal mbi figurën e nënës në familjen shqiptare.
Performanca e artistit është vlerësuar për ndërthurjen e thjeshtësisë së tekstit me një motiv të ndjerë muzikor, duke tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare, përfshirë BBC.
Ndërkohë, këtë vit European Broadcasting Union ka forcuar rregullat e votimit, duke përgjysmuar numrin maksimal të votave për person në 10, në përpjekje për të rritur transparencën dhe për të shmangur abuzimet.
Shqipëria synon kualifikimin në finalen e madhe të së shtunës, në një garë që mbledh artistë nga e gjithë Europa dhe më gjerë.
e.xh/j.p/