E Diel, 1 Nëntor 2026

Probleme gjatë lundrimit nga moti i keq, dy kroatë dërgohen me lëndime në spitalin e Vlorës

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Dy shtetas kroatë kanë mbërritur të dëmtuar pasditen e sotme në portin e Vlorës, pasi mjeti lundrues me të cilin udhëtonin hasi vështirësi për shkak të kushteve të këqija atmosferike në det.

Kapiteneria e Vlorës njoftoi se “sot, rreth orës 17:30, në portin e Vlorës ka mbërritur një mjet lundrues tip skaf me flamur anglez. Në bord ndodheshin dy persona me kombësi kroate, të nisur nga porti i Korfuzit me destinacion portin e Dubrovnikut”.

Sipas informacionit paraprak, gjatë lundrimit dy shtetasit kanë pësuar dëmtime fizike si pasojë e motit të përkeqësuar dhe dallgëve të forta në det.

Sipas Kapitenerisë së Vlorës për këtë arsye, mjeti është kthyer në portin e Vlorës, ku përmes një agjencie detare përfaqësuese është kërkuar shërbim shëndetësor. Të dy personat janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës për trajtim mjekësor.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›