“Vjeshta e Artë e Kolonjës”, mbahet edicioni i 8-të i kolonisë së piktorëve

Në Kolonjë është çelur edicioni i 8-të i Kolonisë së Piktorëve, një ngjarje tashmë e kthyer në traditë që mbledh çdo vit dhjetëra artistë nga trojet shqipfolëse. Për tre ditë me radhë, mbi 45 piktorë kanë hedhur në telajo pamjet më të bukura të kësaj zone, që në këtë periudhë të vjeshtës shfaqet më magjike se kurrë.
“Është e disata herë që vij në Kolonjë”, tha një vizitor.
“Kolonja ka plot peizazhe të bukura”, tha një tjetër vizitore.
Kuratori i kolonisë, Fatmir Toçi, thekson se ky aktivitet ka fituar një rëndësi të veçantë, jo vetëm si ngjarje kulturore, por edhe si formë promovimi për potencialet turistike të zonës.
“Jo vetëm nga Shqipëria dhe nga Kosova që janë gjithmonë të përhershëm, por kemi piktor nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, të cilët japin një kontribut për promocionin që i bëhet kësaj krahine”, u shpreh Toçi.
Disa prej pikturave të realizuara gjatë këtyre ditëve do t’i dhurohen fondit të Galerisë së Arteve në Kolonjë, si pjesë e një koleksioni që ruan kujtesën dhe bukurinë e kësaj krahine.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/