E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vjedhja e energjisë elektrike, Zhuka: Vepër penale, por edhe rrezik për jetën nëse ndërhyhet vetë në rrjet

Grupet e task-forcës së operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike do të jenë në terren për kontrolluar çdo tentativë të vjedhjes së energjisë elektrike. Drejtori i OSHEE rajoni Verior, Armando Zhuka, tha se raste ka pasur kur qytetarët kanë tentuar të shkelin ligjin për të cilën edhe janë ndëshkuar me masa administrative apo procedime penale.

“Kontrollet nuk mund të ndalen, janë një nga pikat kryesore të punës tonë. Fatkeqësisht vijojë akoma disa banorë të pandërgjegjshëm që vijojnë të abuzojnë me energjinë elektrike”, tha Zhuka.

Zhuka solli në vëmendje 2 raste në Lezhë që humbën jetën pas tentativave për të vjedhur energji elektrike. Sipas tij ndërhyrja në rrjet apo në matësa ka jo vetëm penalitete por edhe rrezikshmërinë për jetën

“Kemi pasur dy raste në zonën e Lezhës që kanë shkaktuar vdekje si pasojë e këtyre arsye. Ngushëllime atyre familjeve dhe ju lutem mos tentoni të ndërhyni në rrjetin e energjisë elektrike pasi mund të shkaktojnë humbje jete”, u shpreh ai.

Humbjet në rrjet janë më të larta gjatë dimrit për shkak edhe të konsumit të energjisë elektrike, ndaj OSHEE bën me dije se nuk do të ketë tolerim për asnjë rast të konstatuar.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›