E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjosa Osmani rikthehet në Kuvend si deputete pas pesë vjetësh në postin e presidentes

PRISHTINË, 6 gusht/ATSH/ Vjosa Osmani i është rikthyer sot ulëses së deputetes në Kuvendin e Kosovës, pas pak më shumë se pesë vjetësh në krye të shtetit.

Osmani, e cila u zgjodh presidente në vitin 2021, po merr pjesë në seancën konstituive të Legjislaturës XI si deputete e zgjedhur nga radhët e LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Ky rikthim shënon një rast të veçantë në historinë parlamentare të Kosovës, pasi ajo është presidentja e parë që, pas përfundimit të mandatit presidencial, kthehet në Kuvend për të ushtruar funksionin e deputetes, ani se kjo mund të ndodh vetëm përkohësisht, në rast se zgjidhet sërish presidente.

Më herët, presidentët si Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi nuk u rikthyen në Kuvend si deputetë pas përfundimit, ose ndërprerjes së mandatit të tyre. Ndërkaq, Behgjet Pacolli, i cili ushtroi detyrën e presidentit për një periudhë të shkurtër në vitin 2011, u rikthye më pas në Kuvend si deputet dhe vijoi aktivitetin e tij politik.

Osmani kishte qenë deputete dhe kryetare e Kuvendit para se të zgjidhej presidente, ndërsa rikthimi i saj në legjislativ vjen pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar në Presidencë, i cili i përfundoi në prill të këtij viti. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›