E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësohet shfaqja kosovare

Gazetat austriake i kanë dhënë një hapësirë të konsiderueshme shfaqjes “Yue Madeleine Yue”, të Qendrës Multimedia, e cila është dhënë premierë në Volkstheater të Vjenës. Më poshtë janë pjesë nga dy tekste të botuara në ‘Wiener Zeitung’ dhe ‘DER STANDARD’.

Vajza rome në gropë

Madeleine është emri i një personazhi të shfaqjes, sipas Madeleine Albright, ish sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kohën e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe. Nga Shqipëria, ku ishin refugjatë lufte, arratisen babai, nëna dhe vajza, për t’u strehuar në Gjermani. Pas dhjetë vjetësh, ata do të kthehen. Për shkak se ata janë “maxhup” (Zigeuner). Këtë e dëshmon edhe Ambasada Gjermane, e karikuar në një institucion të ashpër nazist, ku babai dhe nëna kërkojnë mbështetjen për të shpëtuar “Madeleine-n” e lënduar, e cila kishte rënë në një gropë të pambuluar.

Gjashtë aktorë dhe dy muzikantë, me pak rekuizita sollën një ankth të çastshëm satiro-komik, të dhimbshëm e përlotshëm në një skenë të zhveshur, mbi dysheme. Me fillim në titra paralajmërohet qëndrimi: Çfarë thonë personazhet, nuk janë qëndrime të autorit. Mirëpo, komuna, policia, mjekët e spitaleve, tregojnë haptas përbuzjen e tyre ndaj “maxhupit”. Edhe punëtori i ndërtimtarisë flet po aq armiqësisht, poaq sa edhe biznesmenët-ndërtimor neokapitalist.

Mungon një sllogan vdekjeje: ‘Spastrues Auschwitz-i’. Sekuencat televizive shkrijnë mes veti lajmin fatkeq të aksidentit dhe atë të përzgjedhjes së “Miss Gropa”, në mënyrën më të paturpshme. Madeleine vdes. Për rrugëtimin e saj nga bota, ajo fantazon trenin e ëndrrave të saj, lodrën e saj më të dashur. Një mjegull avulli vërshon vagonët në ekran, në rrugëtim drejt hiçit.

Të premten në Bruksel përfunduan bisedimet ndërmjetësuese në mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës rreth njohjes De-Facto tashmë të vonuar të Republikës së Kosovës. Në të njëjtën ditë, krejt rastësisht, Volkstheater në Hundsturm (një nga studiot e këtij teatri) shfaqi premierën e shfaqjes tragjikomike “Yue Medlin Yue” të Jeton Nezirajt (përkthyer nga Andrea Grill) – në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Austri, Ministrinë e Jashtme Austriake dhe “Kulturkontakt Austria”.

“Yue Madeleine Yue”, prodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina, është dramë e autorit kosovar Jeton Neziraj. Regjinë e kësaj shfaqjeje e ka bërë Blerta Neziraj, muzikën e ka kompozuar: Gabriele Marangoni, koreografinë: Gjergj Prevazi, skenografia dhe dizajni i dritave: Nico de Rooij, kostumet: Dorothy Barnes, luajn: Kushtrim Hoxha, Anisa Ismaili, Kujtim Pacaku, Bajram Kinolli – Kafu, Fitore Broqi dhe Fisnik Sykaj, muzicient: Susanna Tognella dhe Gabriele Marangoni, ass. Kostumografe: Amber Givens, menaxhere e skenës: Adelina Berisha, ndriçimi: Skënder Latifi, dramë është përkthyer në gjermanisht nga Andrea Grill.

Shfaqja në Volkstheater është dhënë në kuadër të festivalit “Die Besten aus dem Osten: Folge 10”, me datë 24 dhe 25 shkurt.

“Yue Madeleine Yue” është projekt i financuar nga BE, menaxhohet nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, ndërsa implementohet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS.

Pas prezantimit në Vjenë, premiera në Kosovë do jepet me 21 Maj, ku edhe do të hapë festivalin e kulturës së komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Gremina dhe shpresa kosovare

nga Dorian Waller (DER STANDARD)

Me rekuizita të reduktuara, ansambli i ‘Qendrës Multimedia’ nga Prishtina, rrëfen tregimin e një familje rome të kthyer nga Gjermania në Kosovë, e cila përballet me armiqësitë e përditshmërisë së ngadaltë, drejt një vendi funksional. Përderisa televizioni lokal përqeshë gjendjen e vështirë të rrugëve në vend, përmes të një gare për ‘Miss Gropa’, një vajzë e vogël rome do të bjerë në gropë dhe do të lëndohet rëndë. Autoritetet kosovare dhe Ambasada e Gjermanisë hezitojnë të ofrojnë ndihmë. Fëmija vdes dhe e lë pas një familja të shkatërruar.

Blerta Neziraj ka inskenuar ketë rrëfim tragjik me gjashtë aktorë dhe dy muzikantë, si një revy temporale numrash. Shfaqja është përplot humor, në mes një hareje fëmijërore dhe të një satire të furishme, nëpërmjet të cilave mëshira dhe poezia nuk qëndrojnë kurrë në të njëjtën rrugë. Për çfarëdo ankese, autori kishte theksuar një vërejtje: të ankuarit ndaj shfaqjes, ankesat e tyre t’i adresonin jo tek autori, mirëpo tek Ambasada e Gjermanisë dhe Qeveria e Kosovës.

“Yue Madeleine Yue” e Neziraj, është një tragjikomedi inteligjente me muzikalitet absurdi, përtej klisheve folklorik, mbi një familje rome e cila ne pasluftën kaotike në Kosovë përpjekjet për tu mëkëmbur dhe për të fituar një jetë të dinjitetshme.

(Përktheu nga gjermanishtja: Alban Beqiraj)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›