E Martë, 3 Nëntor 2026

Vllaznia – Tirana, çfarë dueli

Vllaznia – Tirana ishte kryesfida e javës së gjashtë në volejboll për femra dhe për meshkuj që është luajtur të premten dhe të shtunën në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”. Një fitore spektakolare e shkodranëve të Artan Kalasë, 3-1 përballë kampionëve në fuqi. 25-21 seti i parë për shkodranët. Kundërpërgjigjet Tirana 18-25 e më pas dy sete radhazi Vllaznia, 25-16 dhe 25-23

“Këtë skuadër kërkoj. Tirana është skuadër kampione, është skuadër që ka investuar dhe në lojtarë të huaj. Por edhe ne nuk është se nuk jemi stërvitur. E kemi marrë seriozisht, ekipi është mobilizuar. Unë i them çunave urime dhe bravo ju qoftë”, shpjegon Artan Kalaja.

 “Skuadra e Tiranës është një skuadër për momentin në kolaudim e sipër. Edhe unë nuk është se prisja një humbje në Shkodër, por prisja një lojë shumë të fortë”, thekson Arben Sako.

Të shtunën tjetër melodi, sepse Tirana e Hasan Gurabardhit ka fituar 3-0, edhe me një lojë jo fort të mirë. 25-27, 24-26, 18-25 që vërteton suksesin e vuajtur të vajzave bardheblu.

“Vajzat bënë një lojë dinjitoze. Është e gjithë puna që bëjnë në stërvitje. Por kualitetet mungojnë”, nënvizon Nora Deda.

“Ne në fakt na bëri çudi që mundën Barletin para 3-4 javësh. Por sot megjithëmend që kanë bërë një lojë të shkëlqyer, sidomos në mbrojtje. Kanë luajtur pa gabime dhe kanë luftuar deri në fund”, përfundon Hasan Gurabardhi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›