Derbi me pasoja ekonomike, Partizani dhe Tirana “paguajnë” për

Derbi kryeqytetas nuk e ka shuar ende jehonën e tij, por këtë herë bëhet fjalë për pasojat e tij, që bien mbi Partizanin e Tiranën. Përtej spektaklit dhe emocioneve në fushën e lojës, tifozeritë e dy klubeve nuk i kanë shpëtuar tundimit për të hedhur sende në fushën e lojës dhe shkatërruar ulëset e stadiumit Arena Kombëtare. Incidentet e ndodhura gjatë dhe pas ndeshjes kanë kosto financiare dhe të konsiderueshme madje. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së ka vendosur gjoba të forta për dy klubet.
Partizani për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”, si edhe lejimin e personave të paautorizuar për të hyrë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Me të njëjtin motivacion është ndëshkuar edhe Tirana, por gjoba ka qenë më e lartë: 400.000 (katërqind mijë) lekë.
Ekuilibron sidoqoftë ndëshkimin financiar gjoba për mesfushorin e të kuqve Gjelbrim Taipi. Mesfushori ndezi flakadanë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes, duke u gjobitur me 100.000 (njëqind mijë) lekë, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mire. Dy klubet kryeqytetas duhet të dëmshpërblejnë për më tepër edhe dëmet e shkaktuara nga tifozët e tyre në stadium, sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve. Gjoba e pezullime ndërkohë, ka patur edhe në kategoritë inferior, ku spikat humbja në tavolinë 3-0 e ndeshjen me Skënderbeun në Kupë për Delvinën. Klubi, gjithashtu, është përjashtuar nga gara për sezonin aktual si dhe atë pasardhës të Kupës së Shqipërisë.