E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia-Partizani, lufta e hapur për pikëPartizani, 15-herë kampion i Shqipërisë dhe Vllaznia, 9-herë kampione e vendit, janë ndeshur midis tyre 132 herë. Partizani ka regjistruar 59 fitore, ndërsa Vllaznia 40 të tilla

Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, pohoi se deklarata për dorëheqjen e tij nga drejtimi i skuadrës, u morr në një moment irritimi pas eliminimit nga Flamurtari në Kupën e Shqipërisë, me anë të një penalltie të realizuar nga formacioni vlonjat në minutën e 108-të. “Kupa nuk ishte në objektivat kryesorë tanë, pasi ne jemi të fokusuar në mbijetesën në Superligë. Por, çdo gjë e ka një kufi. Ishte më shumë një shpërthim ndaj arbitrave që vazhdojnë të penalizojnë. Megjithatë, unë do të vazhdoj të drejtoj Partizanin deri në fund të sezonit. Besoj se do t’ia arrijmë të realizojmë objektivin, qëndrimin në Kategorinë Superiore”. Në takimin e fundit në kampionat, Partizani humbi 2-1 me Dinamon në “Qemal Stafa”.

VLLLAZNIA- Të shtunën Partizani (vendi i 8-të në kampionat, me 29 pikë) do të përballet në Shkodër me Vllaznisë (vendi i 2-të, 51 pikë), ndaj një skuadre që të kuqtë i kanë humbur të dy përballjet sezonale me të njëjtin rezultat: 2-1, si në “Loro Boriçi” ashtu dhe në “Qemal Stafa”. “Një transfertë e vështirë, për të cilën po përgatitemi në maksimum. Kundërshtari lufton për titullin kampion dhe sigurisht që përballja do të jetë e fortë. Megjithatë, ne do të shkojmë me synimi për të mos dalë të humbur”. Partizanit do t’i mungojë mbrojtësi Renato Malota (i pezulluar) e në dyshim është edhe mbrojtësi tjetër me përvojë Fatjon Tafaj (në rikuperim e sipër).

SHEHI – Kapiteni i Partizanit, portieri Orges Shehi, nuk e fshehu mërzitjen për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë pas 120 minutave lojë, të vendosur nga një penallti e shkaktuar nga vetë gardiani i kuq 12 minuta përpara përfundimit të shtesave. “I tillë është futbolli. Penalltia është fat, herën tjetër e prita, tani jo”, - tha Shehi, duke iu referuar penalltisë së pritur në takimin e dytë me Flamurtarin në Kupë (të gjuajtur nga Shehaj), por që FSHF-ja anuloi më pas për shkak të parregullsive të dy takimet e luajtura, përfshirë dhe kualifikimin e Partizanit.

SFIDA - Të kuqtë në dy takimet e radhës do të luajnë kundër Vllaznisë këtë të shtunë e një javë më pas kundër Tiranës, që bashkryeson me shkodranët kampionatin me pikë të barabarta pas 26 javëve të luajtura (nga 51 pikë). “Sigurisht, një ndeshje e fortë, pasi shkodranët luftojnë për titullin kampion. Jemi të mobilizuar për këtë takim. Një pikë është shumë e rëndësishme për ne”, - thotë durrsaku 31-vjeçar Shehi, i cili ka luajtur me Vllazninë (39 ndeshje, sezoni 2004-2005 dhe pjesën e parë të sezonit 2005-2006), përpara se të bashkohej me të kuqtë në janar të vitit 2006.

LICI- Mbrojtësi veteran i Vllaznisë, 35-vjeçari Suad Lici, pohoi se e vlerëson seriozisht përballjen me Partizanin. Lici është vetëm pesë ndeshje larg plotësimit të numrit 300 të ndeshjeve me Vllazninë, përfshirë ato në kampionat, kupën e Shqipërisë e ndeshjet ndërkombëtare, ku ka mundur të shënojë 46 gola (Lici ka debutuar në sezonin 1992-1993). Aktualisht Lici ka zhvilluar 295 ndeshje, ndërsa Sinani ka vetëm 293 aktivizime me Vllazninë.  “Partizani do të synojë të bëjë më të mirën, por ne jemi përgatitur me shumë seriozitet për te marrë fitoren e për t’iu gëzuar tri pikëve në fund të takimit”. Te Vllaznia rikthehet mbrojtësi kroat Marko Bashiç, ndërsa do të mungojë Edmond Doçi. Në takimin e fundit në kampionat, Vllaznia fitoi 4-1 në Elbasan (2 gola Sinani, 2 gola Sukaj).

STATISTIKA- Partizani, 15-herë kampion i Shqipërisë dhe Vllaznia, 9-herë kampione e vendit, janë ndeshur midis tyre 132 herë. Partizani ka regjistruar 59 fitore, ndërsa Vllaznia 40 të tilla. 33 takime midis tyre janë mbyllur në barazim. Kuptohet që dhe golaverazhi flet dukshëm për të kuqtë, madje Partizani ka shënuar 50 gola më shumë në portën e Vllaznisë: 186-136. Sfida e 133-të, Vllaznia-Partizani do të gjykohet nga ndërkombëtari Sokol Jareci. Në 13 takimet e luajtura deri tani në shtëpi gjatë këtij sezoni, Vllaznia ka fituar 9 ndeshje, barazuar 3 e humbur 1 (me Dinamon). Partizani në ndeshjet jashtë ka këtë bilanc: 4 fitore, 2 barazime, 7 humbje (përfshirë dhe atë me Vllazninë).

BILANCET E CIFTEVE TE JAVES 27

TIRANA-ELBASANI
Bilanci: 133 ndeshje: 68 fitore Tirana, 30 barazime, 35 fitore Elbasani. Golat: 243-122

VLLAZNIA-PARTIZANI
Bilanci: 132 ndeshje: 40 fitore Vllaznia, 33 barazime, 59 fitore Partizani. Golat: 136-186

DINAMO-TEUTA
Bilanci: 124 ndeshje: 59 fitore Dinamo, 40 barazime, 25 fitore Teuta. Golat: 184-100

SHKUMBINI-BESA
Bilanci: 29 ndeshje: 11 fitore Shkumbini, 4 barazime, 14 fitore Besa. Golat: 28-27

BYLIS-FLAMURTARI
Bilanci: 15 ndeshje: 5 fitore Bylis, 5 barazime, 5 fitore Flamurtari. Golat: 20-17

LUSHNJA-APOLONIA
Bilanci: 40 ndeshje: 12 fitore Lushnja, 11 barazime, 17 fitore Apolonia. Golat: 39-50

(Statistikat: Fatmir Efica, Sport Ekspres)

E Premte, 10 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›