E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia-Tirana, në Shkodër luhet supersfida e javës

TIRANE-Kampionati zhvillon sot superndeshjen e parë të sezonit, teksa Vllaznia dhe Tirana do të përballen me njëra-tjetrën në "Loro Boriçi", në një betejë klasike të futbollit shqiptar. Në fushë do të jenë dy prej skuadrave më tradicionale të Superligës, dy ekipe që pavarësisht rivalitetit, gjithnjë kanë treguar respektin maksimal në fushën e lojës. Tirana udhëton në Shkodër me statusin e kryesueses së kampionatit, por vendasit në fushën e tyre janë të frikshëm dhe këtë vit nuk kanë toleruar asgjë. Në gjithë qytetin e Shkodrës kjo ndeshje ka një shije të veçantë, pasi luhet ndaj 24 herë kampionëve të vendit dhe një rivaleje historike. "Për mua nuk është një klasike, është një ndeshje si gjithë të tjerat", deklaroi ditën e djeshme trajneri i Tiranës Julian Rubio Sançez. Në fakt, bëhet fjalë për një tentativë për ulje të presionit mbi futbollistët bardheblu, pasi në të vërtetë, ndeshja e sotme është nga ato që secila skuadër kërkon ta fitojë medoemos. Për Sançez, Tirana mund të triumfojë në "Loro Boriçi", që pritet të jetë i tejmbushur në sfidën e sotme. "Do të shkojmë për të fituar, pasi e kemi treguar se mund të mposhtim çdo kundërshtar, - tha trajneri spanjoll, që më pas vijoi me një ton disi polemizues. - Tirana? Nuk mund të them se kam ekipin që kam ekipin që doja, pasi na duhen edhe disa përforcime. Tani s'më mbetet gjë tjetër, veçse të punoj me këtë skuadër, të paktën deri në janar", shtoi Sançez.
Vllaznia
Në Shkodër presin një fitore në përballjen e sotme me Tiranën dhe trajneri Mirel Josa e di mjaft mirë një gjë të tillë. Në prag të kësaj sfide, ish-tekniku bardheblu është munduar të mbajë ekipin larg presionit, por ka pranuar se fitorja është alternativa e vetme. "Pres që Vllaznia ime të bëjë më të mirën ndaj Tiranës dhe të kërkojë një fitore, - tha Josa. - Ekipi është përgatitur për një gjë të tillë dhe këtë kërkoj ta shprehë në fushën e lojës. Për mendimin tim, skuadra ka forca për të dalë me sukses në këtë takim", deklaroi më tej trajneri i Vllaznisë. Mirel Josa shpjegoi gjithashtu se do të kërkojë që ekipi i tij të zbresë në fushë pa frikë dhe ta dominojë ndeshjen, ndërsa nuk ndikohet aspak se përballë është ish-ekipi i tij. "Unë jam pjesë e Vllaznisë dhe e dua, prandaj parvarëisht emrit që kam përballë kërkoj vetëm fitore. Kam besim për një gjë të tillë", tha ai. Më tej, Josa bëri një krahasim të çuditshëm: "Nuk duhet të na trembë asnjë skuadër. E kam theksuar se mua nuk më tremb as Liverpuli dhe jo më Tirana. Uën kam kërkuar që lojtarët e mi të më shikojnë në sy dhe të kenë besim tek ato që u them. Falë këtij besimi mund të arrijmë më të mirën në këtë përballje po jo vetëm", përfundoi trajneri i Vllaznisë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›