Vllaznia nuk ndalet, Dodaj ndëshkon Teutën

Vllaznia nuk ndalet. Në javën e 31-të të “Abissnet Superiore”, skuadra kuqeblu ka mposhtur Teutën me rezultatin 1-0 në një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport.
Në “Loro Boriçi” takimi nisi vrullshëm, ndërsa goli i vetëm u shënua në fundin e pjesës së parë me Dodajn që shfrytëzoi në maksimum mundësinë e krijuar.
Durrsakët nga ana e tyre kërkuan të reagonin, por përballë një Vllaznie të kujdesshme nuk ia dolën, aq më tepër që në minutën e 65-të humbën dhe shërbimin e Jazxhi, i ndëshkuar me karton të kuq për një ndërhyrje të parregullt në dëm të Kallakut.
Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në kuotën e 59 pikëve, 5 më shumë se Egnatia e vendit të dytë. Teuta mbetet në kuotën e 38 pikëve, në vend të 6-të.