Vlonjatët do votonin për Kollozin sikur

Berisha në çeljen e fushatës në Vlorë
Nga Lavdosh Ferruni
E kërkova dhe e gjeta të plotë fjalimin e z. Ardian Kollozi në çelje të fushatës elektorale Maj 2011 në Vlorë. E konspektova atë. Përjashtimisht. Edhe pse zgjedhjet e tanishme janë thellësisht referendaro-politike, Vlora klasifikuar si bastion i PS mund të votonte për Kollozin e PD këtë radhë, siç bëri dhe në 2005, ku qyteti votoi në shumicë për deputetë të PD, i joshur edhe nga premtimet e Berishës për një zhbërje të planeve të Nanos për instalimin e një industrie me bazë nafte në Gji të Vlorës. Nëse Kollozi do të guxonte vetëm ose në bashkëpunim me Berishën të kundërshtonte në këtë fushatë vetë planet e Berishës për modifikimin e ADN-së së Vlorës me tipare dominuese të industrive ndotëse, do të mund të pretendonte të ulej në karrigen e të parit të Vlorës në 100 vjetorin e flamurit kuq e zi. Por kjo duket mbetet në sikur. Kollozi në asnjë pikë nuk e përmendi, qoftë edhe shkarazi, planin e madh shkatërrues të qytetit të Vlorës me super port, me super turbina eolikësh përqark gjithë lartësive që kufizojnë qytetin, me industri të rëndë në vend të pyllit të Sodës, me zonë të lirë për aziatik e afrikanë e të mbyllur për vlonjatët. E të gjitha këto nuk janë vetëm plane, këto janë vendime të Këshillit Ministrave, firmosur nga Sali Berisha.
Kollozi tha në fjalimin e tij: Do ti themi stop betonizimit dhe pushtimit të hapësirave të gjelbra, plazheve, rrugëve duke i dhënë fund shpërfytyrimit të Vlorës., ndërkohë ai po mpreh sëpatat që të zbatojë vendimin e Berishës për të prerë gjithë Pyllin e Sodës, për ta zëvendësuar atë me platforma betoni nga plazhi i vjetër deri në Zvërnec. Flet për pushtim plazhesh dhe harroi se ka pushtuar me TEC-in famëkeq plazhin e Nartës, nga më të bukurit në Mesdhe. Flet për shpërfytyrim të Vlorës, por a ka shpërfytyrim më të madh se zëvendësimi i Pyllit të Sodës me platformë konteinerësh. Dhe më poshtë Kollozi guxon dhe thotë se do ndërtojmë qytet të gjelbër.
Do hartojmë një masterplan ku të kemi përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të prerë Vlorën e pas 30 vjetëve…, tha Kollozi. Në fakt Berisha e ka bërë planin (shih në figurë pjesë të master planit), që në fakt duhet ta konsultonte me komunitetin, por e ka mbajtur tepër sekret. Natyrisht Kollozi duhet ta dijë këtë plan. Sipas këtij plani, e gjithë pjesa veri-perëndimore ku mund të zhvillohet qyteti i Vlorës, pa rënduar më tej me ndërtime aksin Sheshi i Flamurit Uji i Ftohtë, kthehet në zonë industriale ku çdo lloj industrie mund të bëhet, edhe industri e rëndë me përjashtim të industrisë së çelikut, por duke mos përjashtuar industrinë e përpunimit të plehrave të importit, vendimin për të cilat tashmë e kemi. Më pas Kollozi flet për planin për një tramvaj e për korsi biçikletash për pakësimin e trafikut e mbrojtjen e ajrit. Shumë mirë e thotë këtë, por duhet ti thotë vlonjatëve dhe gjithë shqiptarëve se çfarë do ndodhë me trafikun dhe me ajrin kur të ndërtohet super Porti i Berishës, kapaciteti i të cilit, me 3 milion konteiner në vit, është i tillë që i takon mesatarisht që nëpër Vlorë çdo 10 sekonda të kalojë një kamion, pa llogaritur ndotjen e ajrit nga vetë super anijet që do duhet të ankorohen. Ndërsa ndotja e ujërave detare nga ky super port do jetë një katastrofë e vërtetë ekologjike e Gjirit të Vlorës. Kështu ajri dhe ujërat e mrekullueshme të Vlorës.. (bukur i etiketon Kollozi) do të jenë pas pak vitesh vetëm kujtim në arshivat dixhitale.
Berisha i ngecur keq me bëmat e tij në Vlorë thuajse nuk tha asgjë, as të re as të vjetër për Vlorën. Ai foli për Ramën, edhe pse po aty tha se vëmendja e tij në këtë fushatë nuk do jetë Rama. Ai tha pak a shumë se do bëjë çtë thotë Kollozi, që në fakt duhet kuptuar që Kollozi do bëjë çtë thotë Berisha. E reja e vjetër ishte se në Vlorë qenkan investuar 400 milion euro. Por nuk guxoi Berisha të përmendte dështimin spektakolar të tij me TEC-in e Vlorës, i cili i hëngri Shqiptarëve ¼ e këtyre investimeve me afro 100 milion euro të shkuara dëm.
Shprehja hipokrite e Berishës se …Vlorën e bukurive mahnitëse natyrore e kemi bërë të njohur në mbarë botën, sepse ajo priti në këto katër vite turistë, më shumë se të gjitha kohërat të marra së bashku e se: Kjo është alternativa jonë nuk ka të ngjarë të përtypet nga vlonjatët. Njëherë kalon miu nën mustaqe, kaloi në 2005. Mbetet për tu sqaruar shprehja e Berishës: “Ne vijmë sot këtu tek ju, pasi Vlorën e Ismail Qemalit, Vlorën e flamurit e kemi shndërruar në Vlorën e NATO-s. Nëse e ka pasë fjalën që Shqipëria është tani anëtare e NATO-s, as ftoh as ngroh shumë në Vlorën e Flamurit. Nëse ka ndonjë marrëveshje nën mëngë që bukuritë mahnitëse natyrore të Vlorës tia ketë premtuar NATO-s, ka bërë një gabim shumë të madh.
Nëse kthehemi përsëri tek Kollozi e slogani i tij i fushatës Së bashku të ndryshojmë Vlorën, për ta ndryshuar atë me planet e Berishës, ai dukshëm është humbësi i madh. Kollozi mund të votohej si qytetar i parë i Vlorës sikur slogan i tij të ishte Së bashku të mbrojmë Vlorën. Kjo natyrshëm mbetet vetëm sikur.